
HIMARË- Teksa dy ditë ndajnë nga zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët para se himariotët t’u drejtohen qendrave të votimit. Kreu i qeverisë tha se me Vangjel Tavon Himara do të hapë një kapitull të ri bashkëjetese demokratike mes himariotëve. Rama nuk kurseu as ironitë për kandidatët e tjerë, ku tha se nuk do të kenë shans të ndezin zjarr në këtë bashki.
“Me Vangjel Tavo Himara do të hapë një kapitull të ri zhvillimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetese demokratike mes himariotëve, ku Vangjelët e gabuar do të mund të bëjnë plazh e banjo dielli, po s’do të kenë më shans të ndezin zjarre e nxijnë vetullat. Tavo nuk bën fushata, bën komunikim me njeriun derë më derë dhe prag më prag. Pas Ruçit, është i dyti që ka numëratorin më të gjatë të celular. Po i çove mesazh, të merr direkt në telefon, se me atë është rritur kur ka qenë i vogël. Kur u bë i madh tha ç’më duhet mua PS-ja, jam i madh vetë, tani u kthye prapë për Himarën. Ky është i tëri i Himarës, unë jam përgjysmë. Këtu të gjithë janë himariotë, Himara i lidh bashkë të gjithë. Gjithë kjo që ka ndodhur është një mundësi e madhe, për ta parë në perspektivë për të kuptuar edhe arsyet pse kanë ndodhur. Pastaj flas kështu apo ashtu, më pëlqen më shumë jugu apo veriu, këto janë personale”-u shpreh Rama para qytetarëve.
Më tej kryeministri u ndal edhe tek akuzat se ka “grabitur pronat në Vuno”. Ai u shpreh se e vetmja pronë që ka trashëguar është studioja e babait, skulptorit Kristaq Rama, të cilën ka në plan ta kthejë në muze.
"Kishte dalë në një kazan në Greqi, Edi Rama ka grabitur pronat. Është histori e bukur, rrëzon mitin që qeveria po u merr pronat. Ju e dini që pjesa e Koletajve është nga këtu. Unë ua kam thënë, s’marr pjesë, jam mësuar që kur shkon në botën tjetër, hipoteka, paratë në xhep dhe kartat e kreditit nuk funksionale, puna është çfarë le pas, pas le emrin. Ata më parë kanë shfrytëzuar pushtetin për t’u marrë himariotëve prona. Një pronë kam trashëguar unë, studion e tim eti, për të bërë një muze të vogël për nder të tij”,-tha Rama.
Duke folur me Vangjel Tavon, Blendi Klosin dhe Damian Gjiknurin, Rama u ndal në akuzat e opozitës për zgjedhje të manipuluara. Ai tha se është çmenduri të mendosh se PS blen votat, sepse në fakt fitorja i vjen nga makineria elektorale dhe sondazhet që e nxjerrin fitues Tavon.
“Gjëja që nuk kuptojnë dhe nuk kanë për ta kuptuar kurrë. Kur del ai atje dhe thotë “Do bëjmë tërmet!”, kur del ky tjetri dhe thotë “Do bëhet breshër”, kur dal unë dhe them shifra, këta kujtojnë se ne kemi ndarë lekët dhe kemi blerë votat. Kjo është çmenduri! Ne ndërkohë kemi sistemin që e dimë paraprakisht rezultatin për shkak të kontakteve dhe për shkak të sondazheve. Ne kemi bërë sondazhet këtu në Himarë. I kemi bërë në fillim kur u vu Vangjeli dhe para një jave dhe e dimë se ku do të dali rezultati. Makineria jonë është moderne!” tha Rama.
Numri i qytetarëve i thirrur për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Himarës është pak më shumë se 23 mijë, por në zgjedhjet e fundit lokale, në këtë bashki votuan më pak se 8 mijë persona. Të dielën, po të njëjtët do të duhet të zgjedhin mes Vangjel Tavos nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikurisë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të udhëhequr nga Sali Berisha.
Të dy kandidatët i përkasin minoritetit grek dhe përballen pasi një tjetër minoritar grek Fredi Beleri edhe pse fitoi zgjedhjet nuk u bë kryetar i bashkisë së Himarës për shkak se u arrestua për vjedhje votash pak ditë para zgjedhjeve të majit. Tashmë, Beleri do të ndjekë nga qelia e tij zhvillimet, duke bërë "tifo" për Gjikurinë, i cili është zotuar se nëse fiton do të zbatojë programin e të dënuarit./ZËRI