
ITALI- Italia dhe Shqipëria firmosën këtë të martë marrëveshjen për sigurimet shoqërore, pas 15 vitesh negociata. Nga ky vendim do të përfitojnë shqiptarët që jetojnë në Itali, por edhe shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani. Nga kjo marrëveshja pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë në shtetin fqinj.
“Është një marrëveshje shumë e rëndësishme kishte 15 vite që e prisnim këtë firmë. Kjo firmë garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri dhe atyre shqiptarë në Itali. Ky vendim i përbashkët ofron për shumë persona një siguri dhe perspektivë pozitive për të ardhmen”, tha ministri Tajani.
Pas nënshkrimit, marrëveshja do të ratifikohet nga të dyja shtetet kontraktuese, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse dhe instrumentet e ratifikimit do të shkëmbehen sa më shpejt që të jetë e mundur. Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo marrëveshje.
Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të vitit 2022. Vendi ynë aktualisht ka marrëveshje për njohjen e pensioneve me 15 shtete, me 17 të tjera është në proces negocimi, ndërsa me tre shtete është në proces vlerësimi./ZËRI