Politikë

Shkoi tek Berisha, Bardhi: Bashkë kundër Ramës! Do padisim Lindita Nikollën. S'ka konsensus për Amnistinë

Në fjalën e tij, demokrati Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk i lejonte që të futeshin në sallë, ndërsa paralajmëroi një padi për kryeparlamentaren Lindita Nikolla për shpërdorim detyre.

k.m.
Shkoi tek Berisha, Bardhi: Bashkë kundër Ramës! Do padisim
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka mbajtur një fjalim nga salla e konferencave në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm disa orë pasi dje u përplas me Gardën për të hyrë në sallë. Në fjalën e tij, demokrati Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk i lejonte që të futeshin në sallë, ndërsa paralajmëroi një padi për kryeparlamentaren Lindita Nikolla për shpërdorim detyre.

“S’mund të përjashtosh deputetë vetëm se mbajnë pankarta në duar. Dje u penguan të gjithë deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë. Kryetarja e kuvendit sikur të mos kishte ndodhur asgjë nis seancën me gjysmën e sallës bosh duke marrë edhe autoren e kryerjes së asaj vepre penale. Do kallëzojmë Lindita Nikollën për shpërdorim detyre dhe kujtdo tjetër që ka shkelur ligjin duke penguar deputetët e opozitës në Kuvend,”-tha Bardhi në fjalën e tij.

Po ashtu, Bardhi njoftoi se deputetët e Partisë Demokratike do çojnë në Gjykatë Kushtetuese edhe ligjin për Komisionet Hetimore.

Dje, për herë të parë Bardhi iu bashkua edhe tubimit poshtë banesës së kryedemokratit Sali Berisha. I pyetur nëse e njeh Berishën si kryetar të PD, Bardhi tha se iu bashkohet ideve dhe çdo proteste qytetare. 

"Ne bashkohemi rreth ideve rreth gjërave që na bëjnë bashkë, që është beteja jonë kundër Ramës dhe nuk bashkohemi rreth individëve. S’ka bashkim konkret, ka bashkim rreth ideve, gjërave që na bëjnë bashkë. Keqpërdorimi që Rama i ka bërë konfliktit të brendshëm në PD dhe opozitë, nuk ka sjellë pasoja vetëm për partinë, por edhe për Shqipërinë. Unë do ti bashkohem, i jam bashkuar çdo protete qytetare. Nuk dua ta ngatërroj vizitën në SHBA me situatën tani. Ata mbështesin Shqipërinë dhe rrugëtimin evropian të saj, dhe jo një parti politike,"-shtoi ai. 

Në fund, u ndal edhe tek marrëveshja më e fundit që opozitës i kërkohet nga maxhoranca, ajo e Amnistisë Penale. Duke qenë se për të kaluar ligjin duhen 84 vota, pra edhe disa nga grupi i Bardhit dhe ai i kryedemokratit Sali Berisha, qeveria si shenjë për dialog njoftoi se do të përfshinte edhe propozimet e opozitës. Por duket se Gazment Bardhi ka vendosur një "bllok" duke u shprehur se negociata nuk do të ketë deri në momentin që Parlamenti do t'i kthehet normalitetit. 

“Parlamenti duhet t’i rikthehet normalitetit dhe kjo po pengohet nga refuzimi që mazhporanca bën ndaj kërkesave të opozitës. Ne e mbështesim Amnistinë Penale, ka qenë traditë e gjatë kur është votuar në mënyrë konsensuale. Ngritja e komisioneve hetimore është funksion kushtetues i Kuvendit,”-e mbylli fjalën e tij Bardhi./ZËRI

Poll

MOS HUMB