
TIRANË- Zbardhen detaje nga mbledhja e djeshme që zhvilloi grupi parlamentar i Partisë Demokratike para seancës plenare në Kuvend, e cila u shoqërua me protesta. Në zbardhjen e siguruar nga gazetari Osman Stafa, duket se deputetët kanë shqyrtuar sesi do të veprojnë me çështjen e amnistrisë fiskale, ndërsa po ashtu kërkojnë që të bashkohen përfundimisht për të nisur nga puna në bazë. Vetëm deputeti Ervin Salianji ka theksuar nevojën që në mbledhje të diskutohej në lidhje me deklaratat e kish zv.kryeminitrit Arben Ahmetaj, duke kërkuar aksion.
"Ne duhet të mblidhemi dhe mos dalim pa gjetur zgjidhje për bashkimin, ose t’ua them troç; nëse mendoni si t’ia hidhni njeri-tjetrit për të fituar kohë e kemi gabim, demokratët kërkojnë bashkim dhe ndryshim më pas. Sa i takon aksionit, ose duhet ta radikalizojmë në ngujim apo grevë urie, ose diversifikim,"-tha Salianji.
Sipas tij, situata duhet të radikalizohet deri në ngujim apo grevë urie. Edhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ishte dakord me vijimin e aksionit opozitar. Metaliaj dhe Gjekmarkaj dhe Dhurata Çupi kërkuan më shumë aksion në bazë duke lajmëruar se kryeministri Edi Rama e ka nisur që tani fushatën për zgjedhjet parlamentare të 2025. I vetmi që i "qau" hallin kryedemokratit Sali Berisha ishte Dashnor Sula, i cili fajësoi kolegët.
"Juve e morët më qaf Berishën. Juve i thatë Berishës mos shko të paraqitesh në SPAK."
DEBATI NË MBLEDHJE:
Bardhi: Do të diskutojmë për seancën plenare dhe reformën zgjedhore. Duhet të dini se ne kemi qenë në gatishmëri të plotë për zgjidhje të situatës politike ku jemi, por përgjigja e mazhorancës është përjashtimi i deputeteve të opozitës. Nuk ka asnjë reflektim nga ata, edhe pse na kanë mohuar të drejtat tona kushtetuese, ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare si dhe kanë mohuar vullnetin e shumicës për përfaqësi në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Të gjendur në këtë situatë ne duhet të vazhdojmë aksionin që kemi nisur.
Mediu: Opozita duhet të bashkohet dhe ne kemi bërë propozim për Federatë. Të jemi të qartë se çfarë qëllimi duhet të kemi me reformën zgjedhore. Duhet të biem diskutimet konkrete dhe të shqyrtohen tek grupi deputetëve. Si aleancë për Ndryshim kemi bërë propozimet tona, për listat e hapura, rikthimin e koalicioneve parazgjedhore dhe votën e emigrantëve. Veprimin tonë opozitar duhet ta zhvillojmë në parlament dhe jashtë parlamentit, të bëjmë një analizë të aksionit opozitar në Parlament dhe mbi të gjitha të shkojmë të takohemi me njerëzit, ti dëgjojmë ata, të flasim për shtetin që i shërben atyre, kthimin e parlamentit në funksione kushtetuese. Dhe veçanërisht të bashkëpunojmë me ndërkombëtarët.
Metaliaj: Ne duhet te bashkohemi jo vetëm këtu ne grup, por edhe në bazë. Kështu siç jemi nuk frymëzojmë, madje edhe njerëzit nuk janë optimiste kur e shohin situatën te tille. Prandaj te bashkuar mundemi te dalim edhe tek mbështetësit tanë, tek qytetaret, se ndryshe as njerëzit nuk na presin më. Të ndahen grupet e punës dhe të fillojmë organizimin e strukturave në bazë, duhet t'i rivalizojmë, ti motivojmë dhe të bëhemi të besueshëm.
Dash Sula: Juve e morët më qaf Berishën. Juve i thatë Berishës mos shko të paraqitesh në SPAK. Ka të drejtë Lindita kur thotë që s’na besojnë më njerëzit.
Ervin Salianji: Me vjen keq t’iu them që çdo diskutim deri tani flet për situatën mes nesh ndërkohë që duhet ta nisim diskutimin e mbledhjes me deklaratat skandaloze të ish nr 2 të Ramës. Ai nuk është i penduar në kuptimin ligjor sepse nuk i pranoi krimet e veta por ndërkohe si një prej pjesëtareve të bandës tregoi se si përdoret pushteti për të pasuruar disa, për të goditur disa te tjerë, se si oligarkët marrin tokë në det dhe ajër duke ngrenë qofte me kryeministrin. Se si përdorin çdo institucion dhe drejtësinë për të eliminuar kush ju del nga vatha! Për këtë duhet reagim. Ne duhet të mblidhemi dhe mos dalim pa gjetur zgjidhje për bashkimin, ose t’ua them troç; nëse mendoni si t’ia hidhni njeri-tjetrit për të fituar kohë e kemi gabim, demokratët kërkojnë bashkim dhe ndryshim më pas. Sa i takon aksionit, ose duhet ta radikalizojmë në ngujim apo grevë urie, ose diversifikim.
Gjekmarkaj: Epika dhe politika nuk janë e njëjta gjë edhe pse ne e përdorim shpesh të parën duke menduar se bëjmë të dytën. Para se te shkojmë te përshkallëzimi, i cili nuk është qëllim në vetëvete por realizimi i kërkesave tona duhet të krijojmë një mundësi komunikimi që të kenë zë dhe ndërkombëtarët. Le t'i riformulojmë kërkesat për Komisione Hetimore, si dhe atë për ribërje të ligjit për ato ku ne jemi pjesë. Pastaj nëse nuk ka asnjë reflektim, ata që e kanë të deklaruar se janë të gatshëm të sakrifikojnë me akte sublimë le ta bëjnë. Në fund, publikut i duhet shpjeguar drejtësia e përpjekjes dhe vullenti. Në optikën time do ishte mirë që brenda këtij segmenti të jemi dhe të flasim për amnistinë penale, mos ta anashkalojmë. Mund të humbasesh ose se arrin po së paku merr dakordësinë e shoqërise. Nuk jam votuar për gladiator, gjëja ka një limit pastaj Rama po e vazhdon axhenden dhe duket sikur po i pëlqen axhenda jonë.
Dhurata Çupi: Unë mendoj se na duhet një vendim i Grupit Parlamnetar për të riparë qëndrimin që kemi në raport me Kuvendin. Ndërsa Rama ka nisur fushatën për 2025, ne duhet të vazhdojmë të merremi me veten dhe me Kuvendin. Na duhet të gjejmë një zgjidhje. Sa i takon amnistisë penale, na duhet një vendim nëse do e votojmë apo jo, pasi prej saj përfitojnë protestues të PD-së.