
TIRANË- Edhe pse vetë është në burg për blerje votash, Fredi Beleri ka bërë kërkesë për pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili caktoi 4 gushtin si ditë zgjedhjesh në Himarë. Kërkesa e Belerit është bërë 3 ditë pas vendimin të shpallur me dekret nga ana e presidentit Begaj. Në padinë e depozituar pranë Gjykatës Administrative të Tiranës, Beleri citon nenin 115 të Kushtetutës, ku shkruhet qartë se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave. Sipas tij, presidenti duhet t'i kishte kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë aktin ligjor apo nënligjor që e bënte të ekzekutueshëm vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
"Mënyra e nxjerrjes së aktit adminstrativ, Dekreti për zgjedhjet në Bashkinë Himarë, nga Presidenti, e ka reduktuar rolin e Presidentit vetëm në një subjekt qe numëron datat, ditët orët, jo vlefshmërinë e akteve dhe kërkesave që i paraqiten për vlerësim, pasi, në çdo rast që Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë shpall vakant vendin e kryetarit të bashkisë, Presidenti nuk mund të bëjë tjetër veç të shpalli zgjedhjet duke numëruar nëse është brenda 48 orëve, por nuk mund të verifikojë nese u çmend Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Dëmi që do t'i vijë paditësit nga ekzekutimi i dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës është i pakthyeshëm, pasi në rast të ekzekutimit të këtij akti, do të zhvillohen zgjedhjet vendore në Bashkinë Himarë, të cilat janë një proces i pakthyeshëm, dhe cënojnë interesat e kërkuesve, si përfaqësues të shumicës së votuesve në atë njësi vendore. Po ashtu nga pezullimi i ekzekutimit të aktit, dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 nuk cënohet rëndë interesi publik. Siç relatuam më lart, bashkia Himarë nuk është qeverisur nga kandidati që u votua më shumë që prej 14 muajsh, pra vullneti i votuesve nuk u pranua të lexohej nga organet qendrore. Po ashtu që prej datës 23.03.2024 kur është arrestuar edhe ish-kryetari i asaj bashkie, rezulton që Bashkia Himarë qeveriset nga nënkryetar të emëruar në shkelje të ligjit, pra interesi publik, i votuesve të Bashkisë Himarë nuk mund të cënohet më rëndë sesa është cënuar deri tani. Në lidhje me masën e sigurimit të nevojshme për sigurimin e padisë, pezullimi i ekzekutimit të aktit, Dekretit të Presidentit të Republikës nr 244 datë 05.07.2024 deri në shqyrtimin e padisë, është masa e sigurimit më e përshtatshme, e cila garanton interesin publik të votuesve të asaj njësie vendore, të drejtën për ushtruar nëpërmjet Votës në një proces të ligjshëm dhe të lirë votimi sovranitetin e tyre,"-shkruhet në padinë e Belerit.
PJESË NGA KËRKESA E BELERIT:
Presidenti si organ kushtetues përfaqëson unitetin e kombit, dhe nuk duhet të anojë nga asnjë parti politike. 32. Kërkuesi do të kundërshtojë në gjykatë dekretin e presidentit i cili bën nul zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, duke mohuar të drejtën e banorëve të Bashkisë Himarë të qeverisen nga ai që zgjodhën me votë, por ndërkohë ky Dekret ka filluar efektet. Padia për të provuar pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti do të jetë pa efekte, në rast se nuk pezullohet zbatimi i tij deri në shqyrtimin e padisë. Padia e paditësit ka mbështetje në ligj, pra pretendimet e tij që do të paraqesi në padi prima facia, janë të bazuara ligjërisht, pasi provohet që Dekreti është nxjerrë në shpërfillje të hapur të procedurës së parashikuar në nenin 10 të Kodit Zgjedhor, si dhe në nenin 115 të Kushtetutës. Sipas Nenit 115 të Kushtetutës kryetari i bashkisë mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave. Sipas ligjit nr. 138/2015, neni 10 i tij, KQZ verifikon vlefshmërinë e mandatit të kandidatit të zgjedhur, por që nuk e ka marrë detyrën, vetëm mbi bazën e të dhënave të formularit të vetdeklarimit të dorëzuar prej kandidatit përkatës në momentin e kandidimit. Për rrethana të ndodhura pas dorëzimit të këtij formulari, nuk është kompetenca e KQZ për të verifikuar kushtet e zgjedhshmërisë, por e organeve të tjera kushtetuese. Rasti I kryerjes së një vepre penale pas fitimit të mandatit, është shkak për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë nga Këshilli i Ministrave. KQZ në të njëjtin vendim, ka vendosur edhe pavlefshmërinë e mandatit, edhe ndërprerjen e parakohshme të tij, ndonëse kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri nuk është lejuar ta fillojë ushtrimin e mandatit, pra nuk
mund të flitet për ndërprerje të një mandati të pafilluar. Vendimi i KQZ është një akt administrativ i pavlefshëm bazuar në nenin 108 të ligjit 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative, pasi organi administrativ ka vepruar në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore që parashikojnë kompetencën e tij, si dhe procedurën e ushtrimit të
kompetencave të tij. Si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, Vendimi nr. 69 datë 05.07.2024 i KQZ nuk sjell asnjë pasojë juridike bazuar në nenin 110/1 të Kodit të Procedurave Administrative, pavarësisht nëse është kundërshtuar ose jo dhe si tillë ai konsiderohet se nuk ekziston. Presidenti i Republikës, të cilit i është paraqitur një kërkesë, nga Këshilli i Ministrave, për ekzekutimin e këtij akti adminstrativ, duhet të kishte konstatuar bazuar në nenin 10/3 të Kodit Zgjedhor nëse vendi I kryetarit të bashkisë Himarë ishte vakant sipas LIGJIT, pasi është Ligji që parashikon kur vendi i kryetarit të bashkisë Himarë bëhet vakant, jo shkresa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Bazuar në nenin 44 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon se: “1. Kur procedura administrative fillon me kërkesë të palës, organi publik duhet të marrë masat e nevojshme për përgatitjen sa më mirë të çështjes. 2. Organi publik shqyrton paraprakisht kërkesën lidhur me përmbushjen e kritereve formale ligjore, si kompetenca e organit publik, legjitimimi, afati, forma dhe çdo kriter tjetër të parashikuar nga ligji dhe në përfundim: a) njofton palën kërkuese me shkrim se kërkesa është pranuar për vazhdimin e procedurës; b) njofton palën kërkuese me shkrim për plotësimin e të metave lidhur me plotësimin e kritereve formale ligjore, duke caktuar një afat të arsyeshëm. Në këtë rast organi publik ndihmon në mënyrë active palën për plotësimin e të metave të konstatuara. Mosplotësimi i të metave brenda afatit të caktuar përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Kundër këtij vendimi pala mund të ankohet sipas procedurës të parashikuar në këtë Kod; c) njofton palën kërkuese se janë të nevojshme veprime të mëtejshme administrative para se të vendosë pranimin ose jo të kërkesës. Në këtë rast organi cakton edhe një afat të arsyeshëm për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.” Bazuar në sa më lart, në zbatim të detyrimeve kushtetuese të parashikuara në nenin 94 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 10/3 të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të kishte verifikuar kushtet formale të kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Kërkesa bazuar në nenin 10/3 të Kodit Zgjedhor duhet të ishte shoqëruar me aktin që vërtetonte që vendimi nr. 69 datë 05.07.2024 I KQZ ishte i ekzekutueshëm, në kuptim të neneve 133, 164 të Kodit të Procedurave Administrative, pra që nuk ishte paraqitur ankim brenda afatit të parashikuar në ligj, ose që ankimi ishte shqyrtuar nga organi i caktuar me ligj. Presidenti duhet t`i kishte kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë aktin ligjor apo nënligjor që e bënte të ekzekutueshëm menjëherë vendimin nr. 69 datë 05.07.2024 të KQZ, në mënyrë që të konsideronte “vakant” në kuptim të ligjit vendin e Kryetarit të Bashkisë Himarë. Pasi të kryente verifikimet e mësipërme, pra të përcaktonte nëse sipas LIGJIT vendi i kryetarit të Bashkisë Himarë ishte vakant, brenda 48 orëve nga shpallja e kësaj vakance sipas LIGJIT, jo shkresave të Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, atëherë linddte detyrimi i Presidentit të shpallte zgjedhjet. Mënyra e nxjerrjes së aktit adminstrativ, Dekreti për zgjedhjet në Bashkinë Himarë, nga Presidenti, e ka reduktuar rolin e Presidentit vetëm në një subjekt qe numëron datat, ditët orët, jo vlefshmërinë e akteve dhe kërkesave që i paraqiten për vlerësim, pasi, në çdo rast që Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë shpall vakant vendin e kryetarit të bashkisë, Presidenti nuk mund të bëjë tjetër veç të shpalli zgjedhjet duke numëruar nëse është brenda 48 orëve, por nuk mund të verifikojë nese u çmend Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Paditësi/kërkuesi do të kundërshtojë Dekretin e Presidentit nr. 244 datë 05.07.2024 si absolutisht të pavlefshëm, pasi vjen në kundërshtim flagrant me procedurën që parashikon neni 10/3 i Kodit Zgjedhor, nenet 133, 164 e vijues të Kodit të Procedurave Administrative në lidhje me fuqinë e akteve administrative, pezullimin e ekzekutimit të tyre për shkak të ankimit etj, si dhe për faktin se mbështetet në një akt administrativ nga ana e vet absolutisht të pavlefshëm, në vendimin nr. 69 datë 05.07.2024 të KQZ, akt I cili gjithashtu është në shkelje të hapur dhe flagrante të dispozitave ligjore të ligjit nr. 138/2015. që parashikojnë kompetencat si dhe procedurat e verifikimit të kushteve të zgjedhshmërisë së përfaqësuesve vendorë. Dëmi që do t`i vijë paditësit nga ekzekutimi i dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës është i pakthyeshëm, pasi në rast të ekzekutimit të këtij akti, do të zhvillohen zgjedhjet vendore në Bashkinë Himarë, të cilat janë një proces i pakthyeshëm, dhe cënojnë interesat e kërkuesve, si përfaqësues të shumicës së votuesve në atë njësi vendore. Po ashtu nga pezullimi i ekzekutimit të aktit, dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 nuk cënohet rëndë interesi publik. Siç relatuam më lart, bashkia Himarë nuk është qeverisur nga kandidati që u votua më shumë që prej 14 muajsh, pra vullneti i votuesve nuk u pranua të lexohej nga organet qendrore. Po ashtu që prej datës 23.03.2024 kur është arrestuar edhe ish-kryetari i asaj bashkie, rezulton që Bashkia Himarë qeveriset nga nënkryetar të emëruar në shkelje të ligjit, pra interesi publik, i votuesve të Bashkisë Himarë nuk mund të cënohet më rëndë sesa është cënuar deri tani. Në lidhje me masën e sigurimit të nevojshme për sigurimin e padisë, pezullimi i ekzekutimit të aktit, Dekretit të Presidentit të Republikës nr 244 datë 05.07.2024 deri në shqyrtimin e padisë, është masa e sigurimit më e përshtatshme, e cila garanton interesin publik të votuesve të asaj njësie vendore, të drejtën për ushtruar nëpërmjet Votës në një proces të ligjshëm dhe të lirë votimi sovranitetin e tyre.
Më 5 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Vendim i kundërshtuar nga opozita. Gazment Bardhi e ka cilësuar dekretin e Presidentit si antikushtetues. Ndërkohë vendimi solli dhe reagimin e diplomacisë greke. Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi që Fredi Beleri të mund të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg./ZËRI