Politikë

‘Ndarja na ka dobësuar’, Bardhi për Zërin e Amerikës: Po vlerësojmë çdo mundësi bashkimi

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi theksoi se opozita po bën gjithçka për interes të qytetarëve.

D.XH
‘Ndarja na ka dobësuar’, Bardhi për Zërin e
Gazment Bardhi

TIRANË – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se përçarjet e kanë dëmtuar PD-në, duke u shprehur se po vlerësohet çdo mundësi për bashkim. Bardhi shtoi se detyra e opozitës është që të bëjë atë që është në interesin e qytetarëve.

“Reforma nuk është bllokuar për shkak të problemeve të brendshme të PD-së. Reforma ka dy vite që nuk bën asgjë. Për shkak të bllokimit që i është bërë punës së Komisioinit, deputetët e opozitës kanë kërkuar riformatimin për ta bërë funksional Komisionin e Reformës Zgjedhore. Unë ndaj të njëjtin qëndrim me Celibashin, që reforma zgjedhore duhet të ishte përmbyllur me kohë, duhet të jetë një reformë që adreson shqetësimet e Komisionit të OSBE – ODIHR dhe Venecias. Detyra jonë është të bëjmë atë që është në interes të qytetarëve. Në interes është një reformë që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Që në 2025 t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestuara. Nuk do të heqim dorë nga kjo betejë, sa kohë që është në interes të qytetarëve.

Ne nuk po bojkotojmë parlamentin. Por, jemi duke ndjekur të njëjtën rrugë që ndjek mazhoranca me opozitën, po na pengon të ushtrojmë ato detyra që na kanë ngarkuar qytetarët. Ne e dimë që një ligj i miratuar nga qeveria, vijohet gjithnjë me votat e mazhorancës. Kur një ide sado e mirë është, thuhet nga opozita, ajo nuk merret parasysh. Ne nuk po bëjmë një betejë për veten tonë, po bëjmë një betejë që t’u shërbejë qytetarëve”, tha Bardhi.

Më tej, Bardhi u pyet edhe për njohjen e Berishës si kryetar të PD-së. Ai tha se Partia Demokratike duhet të kapërcejë çdo interes personal.

“Grupi Parlamentar i PD-së është bashkuar në një aksion tërësor kundër qeverisë. PD gjatë këtyre dy viteve ka qenë e ndarë. Ne kemi kuptuar që ndarja e PD e ka dobësuar dhe e ka bërë jofunksionale opozitën. Po shohim mundësitë për të pasur një bashkim. Një projekt të përbashkët të përballjes me qeverinë e korruptuar. Ka zero rëndësi se kush njeh kë, sa kohë që çështja e legjitimitetit të institucioneve të PD ndodhet ende në gjykatë. Sa të merremi me historinë, duhet të fokusohemi tek ajo që ka nevojë sot Shqipëria. Ka nevojë për një opozitë që përmbush misionin e saj. Janë të gjitha mundësitë nëse secili prej nesh kapërcen interesin personal”, deklaroi Bardhi.

Opozita e vendit ka bojkotuar seancat në parlament dhe ka shkaktuar kaos, teksa pretendon se maxhoranca nuk ka marrë parasysh kërkesat e saj, për ngritjen e një Komisioneve Hetimore për disa çështje. Ndër të tjera, PD po kalon një situatë jo të lehtë, për shkak të përçarjeve të brendshme brenda partisë. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, demokrati Gazment Bardhi, së bashku me deputetë të tjerë nga Shqipëria, ka qenë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku u takua me Gabriel Escobar, të dërguarin e SHBA në Ballkanin Perëndimor./ZËRI/

Poll

MOS HUMB