
TIRANË- Maxhoranca do të mbledhë sërish fizikisht Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sipas njoftimit, Komisioni për Zgjedhoren do të mblidhet më 6 shkurt, ora 12:30 minuta. Ky Komision ka dështuar të mblidhet, pas tensioneve në Kuvend nga ana e opozitës.
Në rast se do të ketë tentativa për ta bllokuar Komisionin nga deputetët e PD-së, atëherë do të jetë online. Seanca më 6 shkurt është parashikuar të mbahet me disa përfaqësues të organizatave të Shoqërisë Civile, që kanë si fushë të përgjegjësisë së tyre, çështjet zgjedhore.
Njoftimi:
Më lejoni t’ju njoftoj se ditën e martë, datë 06 shkurt 2024, ora 12:30, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të zhvillojë mbledhje me rend dite si më poshtë:
• Seancë dëgjimore me disa nga Organizatat e Shoqërisë Civile që kanë fushë të përgjegjësisë së tyre çështjet zgjedhore.
*Mbledhja do të zhvillohet pranë Sallës Pjetër Arbnori, në katin e katërt.
Mbledhjet e kaluara të Komisionit të Reformës Zgjedhore dështuan, pasi deputetët e opozitës nuk lejuan deputetët e PS-së, që të ulen në karriget e tyre. Më datë 26 janar, deputetët demokratë bllokuan sallën, ku do të zhvillohej mbledhja. Deputetët Albana Vokshi dhe Lindita Metaliaj zunë vendin e bashkëkryetarëve dhe iu drejtuan me tone të larta deputetëve të grupit parlamentar të PS-së. Ky incident bëri që punimet në Komision të anulohen./ZËRI/