Politikë

Arben Ahmetajt i hiqet pasaporta diplomatike, Ministria e Jashtme: Procedurë!

Ministria e Punëve të jashtme e bazon nxjerrjen të pavlefshme të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt në vendim e qeverisë të 2019-tës për “Kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe atyre të shërbimit”.

f.t
Arben Ahmetajt i hiqet pasaporta diplomatike, Ministria e Jashtme:
ARBEN AHMETAJ

TIRANË- Një veprim i fundit nga qeveria ka 'zhveshur' nga çdo privilegjsh ish-zëvendës kryeministrin në arrati Arben Ahmetaj. Drejtoria e Çështjeve konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i ka drejtuar një kërkesë të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë.

Në kërkesë të gjitha konsullatat njoftohen për shpalljen të pavlefshme dhe jashtë qarkullit të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt, e cila kishte vlefshmëri deri në vitin 2033. Ministria e Punëve të jashtme e bazon nxjerrjen të pavlefshme të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt në vendim e qeverisë të 2019-tës për “Kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe atyre të shërbimit”. Kjo lëvizje e qeverisë vjen vetëm dy javë pasi vendi i Arben Ahmetajt si deputet u zëvendësua nga Plarent Ndrecaj. 

Gjithashtu në një njoftim pas lajmit për heqjen e pasaportës diplomatike të ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar procedurën ligjore që ndiqet për pavlefshmërinë e pasaportës diplomatike.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme:

Procedura për shpalljen e pavlefshme të një pasaporte diplomatike është bërë në bazë të ligjit, një anëtar i Kuvendit të Shqipërisë humbet të drejtën e pasaportës diplomatike me vendim të Kuvendit, për ndërprerjen/humbjen e mandatit të deputetit. Sipas ligjit, pasi Kuvendi i përcjell shkresën zyrtare se individi nuk gëzon më mandatin e deputetit, MEPJ nis procedurën administrative, e cila bazohet në VKM 389, datë 12.06.2019, “Për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit” pikat 3,4,6,7 dhe Ligji nr. 8668, datë 23.10.2000, i ndryshuar “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, neni 8 dhe neni 9. Bazuar në sa më lart, MEPJ sipas procedurës standarde përcjell njoftimin për shpalljen e pavlefshme të pasaportës në të gjitha përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë.

Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI

Poll

MOS HUMB