
TIRANË- Një deputet i mungon grupit parlamentar të Partisë Socialiste! Këtë lajm e ka bërë me dije kreu i grupit, Niko Peleshi në mbledhjen e zhvilluar para seancës plenare. Në nisje të takimit të sotëm, Niko Peleshi ka ngritur si shqetësim kryesor në mbledhje mungesën e deputetëve në Komisionet Parlamenare, por edhe në seanca. Sipas tij, kjo është problem pasi nuk ka kuorum për të votuar projektligjet. Edhe ato të propozuara nga Partia Socialiste.
Madje, sipas EuroNews, ka sjellë edhe shembullin e një deputeti, i cili është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke mos e përmendur me emër, Niko Peleshi shtoi se pasi ka kontaktuar me deputetin, ky i fundit i ka thënë që të mos e "llogarisë" më si pjesë të Kuvendit për këtë legjislaturë. Por po ashtu, nuk ka sqaruar nëse i njëjti deputet është rizgjedhur për një mandat tjetër, apo jo!
Peleshi u ka tërhequr vëmendjen deputetëve, duke u thënë se në mbledhje po u sjell porositë e kryeministri Edi Rama. Në këto kushte, shtoi se i duhet që të falenderonte deputetët që vijnë nga PSD e Tom Doshit, që kanë bërë të mundur numrat e nevojshëm për votimin./ZËRI