
TIRANË- Në seancën e sotme plenare u miratua me 74 vota pro dhe 6 kundër ngritja e Komisionit të Posaçëm anti-korrupsion. Grupi Parlamentar demokrat ashtu sikurse paralajmëroi një ditë më parë nuk e mbështeti me votë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, por zgjodhën ta bojkotojnë votimin. 6 deputetë të opozitës që ishin në sallë votuan kundër, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim.

Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ndërsa deri tani përflitet se në krye do të qëndrojë socialisti Fatmir Xhafaj. Në projektvendim thuhet se Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, parashikohet që komisioni të ketë 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita.
Drejtimin e këtij komisioni do ta ketë shumica parlamentare, ndërsa nënkryetari i takon pakicës. Komisioni i Posaçëm do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave te mirëqeverisjes ne te gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e metejshem te zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “Screening” të Komisionit Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”. Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj./ZËRI