
TIRANË- Dhunimi barbar i avokatit Sokol Mëngjesi një ditë më parë në Tiranë, ka nxehur “gjakrat” mes mazhorancës dhe opozitës, duke sjellë përplasje dhe akuza të ndërsjellta ndaj njëra-tjetrës. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali tha se opozita, pa pritur të dalin ende detajet zyrtare nga autoritetet nxitoi të drejtonte gishtin e fajtorit drejt Kryeministrit Edi Rama. Ndërsa shton se për këtë nuk kërkon as falje.
Elisa Spiropali: Jeni po ju që akuzoni me të parën kundërshtarin tuaj politik, në këtë rast Edi Ramë, për çdo gjë që ndodh në faqen e dheut, siç ishte dje rasti me Sokol Mëngjesin që u godit në mënyrë kriminale nga autorë të identifikuar nga policia tashmë dhe dua ta falënderoj Policinë për këtë. Ju para se të prisnit, të duronit, të dëgjonit, të prisnit hetimet nga polici apo të tjerët, ju shpallët fajtorin që është gjithmonë Edi Rama dhe sot jo ju, por ata që e shpallën nga balloni ose poshtë, nuk kanë as decensën minimale të kërkojnë falje, siç nuk kanë kërkuar falje asnjëherë për akuzat që u kanë bërë kundërshtarëve të tyre. Shërim të shpejt zotit Mëngjesi dhe lutemi për të.
Për ngjarjen policia ka ndaluar shtetasin Dritan Nano, që dyshohet se është dhe organizator i sulmit, ndërsa u vetëdorëzua njëri prej dhunuesve, Dorian Alia. Ky i fundit në dëshminë e tij para grupit hetimor, ka thënë se ata nuk kanë dashur që ta vrasin avokatin apo ti rrezikojnë jetën, por t’i japin një mesazh. Në kërkim për sulmin mbeten ende 3 persona: Romario Tabaku, Elton Kasaj dhe Drivald Alia. Për kapjen e tyre, policia e Tiranës ka dhënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh. Në pamjet e sulmit ndaj avokatit Mëngjesi, shihet se ai goditet me shqelma në kokë, edhe pse qëndronte i shtrirë në derën e kopshtit. Shkak për sulmin dyshohet se është bërë një pagesë që nuk i është kryer nga klienti Dritan Nano, pasi ky i fundit kishte fituar të drejtën e pronësisë, për një truall në zonën e liqenit, ku tashmë ishte bërë pronar i një apartamenti. Konflikti me Mëngjesin, për pagesën e pakryer, kishte bërë që Nanos t’i bllokohej apartamenti nga përmbarimi./ZËRI