Politikë

Më pak se 20’, socialistët miratojnë në parim P.Buxhetin 2024, Spaho i vetëm në mbledhje

Gjatë diskutimeve të shkurtra në mbledhje, socialistët nënvizuan disa ndryshime që duhen bërë në buxhet, edhe pse në parim dhanë dakordësinë e plotë

E.K
Më pak se 20’, socialistët miratojnë në parim
Votimi ne Komision

TIRANË- U janë dashur më pak se 20 minuta deputetëve të Komisionit të Ekonomisë që të miratonin në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024, në një mbledhje e cila u zhvillua online, dhe ku pati vështirësi në numërimin e votave.

I pranishëm në këtë mbledhje, në ndryshim nga qëndrimi që kanë mbajtur deri tani demokratët, ishte deputeti Edmond Spaho, i cili votoi kundër projektbuxhetit.

“Shoh 10 duar të ngritura. Kundër kemi vetëm një. Atëherë projektbuxheti 2024 miratohet në parim”, u shpreh drejtuesi i Komisionit Eduart Shalsi, teksa socialistët miratuan projektbuxhetin 103-faqe. Gjatë diskutimeve të shkurtra në mbledhje, socialistët nënvizuan disa ndryshime që duhen bërë në buxhet, edhe pse në parim dhanë dakordësinë e plotë.

“Nga diskutimet e deritanishme, unë të paktën nuk jam i bindur për ndërhyrjen te taksa e karbonit e cila bie ndesh edhe me direktivat e Bashkimit Europian. Ka nevojë për rishikime”, tha Eduard Shalsi.

“Disa bashki kanë dërguar kërkesa pasi vlerësojnë si të nevojshme rishikimin e transfertës së pakushtëzuar”, deklaroi deputetja Dhima.

Duke mbështetur propozimet e Erion Braçes, ndryshime në paktën fiskale kërkoi edhe deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj.

“Paketa Fiskale duhet të përmbajë heqjen e TVSH për mjetet higjenike të grave dhe lehtësi të tjera për to”, tha Resulaj.

Megjithatë në fund socialistët votuan pro projektbuxhetit, për të cilin opozita nuk ka mbajtur asnjë qëndrim. I gjithë diskutimi për ligjin më të rëndësishëm të shtetit është bërë vetëm me deputetët e mazhorancës, dhe kryesisht në mbledhje komisionesh që janë mbajtur online. Prej 19 Tetorit opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, duke shkaktuar trazira si në seancat plenare, ashtu dhe në komisione.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB