
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot sërish gjyqtaren Irena Gjoka, e cila sipas tij është në konflikt interesi me hetimet për dosjen Partizani. Sipas Berishës, Gjoka është shkarkuar prej tij në vitet 1996, teksa mbante funksione të tjera në sistemin e drejtësisë. Mirëpo i pyetur nga gazetarët, se pse nuk publikon dokumentet, Berisha preferoi që këtë pjesë ta linte në ndërgjegjen e vetë Gjokës.
“Dhe ju lutem mos harroni, pyesni pak atë Irena Gjokën, dhe me këtë rast i bëj një thirrje një akrabasë së saj, që është si punë ministri për prokurorinë, ka qenë apo nuk ka qenë kjo zonjë e ndëshkuar nga Sali Berisha në mënyrë ekzemplare. Pyesni pak, mos ngurroni”, u shpreh Berisha, e pikërisht këtu lindi dhe dyshimi i gazetarëve të cilët pyetën ish-kryeministrin se pse nuk i nxjerr dokumentet që ai ka firmosur shkarkimin e Gjokës.
Zoti Berisha pse nuk e publikoni ju këtë vendim për t’i mbyllur gojën personave që dyshojnë se ju e keni marrë këtë vendim?
Berisha: Ta them unë, prapë unë jam njeri i ligjit. Ligji thotë, personi që për shkak të detyrës duhet të vendosë një firmë, duhet të bëjë këtë ose atë. Duhet të deklarojë me shkrim që nuk është në konflikt interesi, ky është një parim i nënshkruar me ligj. Studiuesit duhet të shkruajnë që nuk kanë asnjë konflikt interesi në rast se nuk deklarojnë lidhje që mund të kenë me kompani të ndryshme. Kjo është një standard unikal, ajo fshihet, ndaj them unë që ajo fshihet pas krimit të saj. Ndaj i bëra thirrje dhe atij ministrit të drejtësisë, që ta ndihmojë atë zonjën të thotë të vertetën. Ata zyrtarë mbahen me taksat e shqiptarëve. Ajo jo vetëm që nuk dha dorëheqjen por përjashtoi dhe avokatët e mi nga çështja.
Zoti Berisha si rrallherë nuk mora përgjigje, pse nuk e publikoni ju dokumentin e shkarkimit
Berisha: Me shpresën se diku në thellësitë e labirinteve të koshiencës njerëzore të gjykatëses Irena Gjoka, i kanë ngelur grimca të dinjitetit dhe integritetit njerëzor. Për ti dhënë mundësinë asaj që të reflektojë për gabimin.
Këtë mundësi i keni dhënë në fakt dhe zotit Ahmetaj…
Berisha: Për mua Arben Ahmetaj duhet të ishte aty ku ishte, por natyrisht unë nuk mund të pranoj që Subashi i Fierit që është i implikuar me firmë, të shpëtojë, dhe të merret në pyetje Baftjar Zeqo. Kjo nuk është drejtësi, kjo është turp drejtësi. Nuk mund të pranoj unë që të arrestohet Arben Ahmetaj, dhe të mos arrestohet Damian Gjiknuri, Edi Rama apo Erion Veliaj. Nuk kam thënë kurrë që Arben Ahmetaj nuk ka përgjegjësi.
/Zëri.ai