
SHKODËR- Zbulohen detaje nga takimi që po mbahet në Shkodër, me kryebashkiakët e majtë dhe të djathtë, ku janë të pranishëm dhe një pjesë e ministrave. Pas Ramës, fjalën në takim e ka marrë ministri për pushtetin vendor Arbjan Mazniku, i cili ka bërë një analizë, ku është parë performanca e bashkive në gjithë vendin.
Sa i takon burimeve njerëzore mësohet se është analizuar numri i punonjësve për 1000 banorë për të gjitha bashkitë, në aparatet e tyre dhe shërbimet që ofrojnë. Vazhdimisht ka pasur akuza se administrate lokale është e fryrë, dhe në shumë prej bashkive një pjesë e mirë e të ardhurave dhe fondet shkojnë për pagat.
Sa i përket anës financiare, mësohet se bashkitë janë futur në sitë kapacitetet e bashkive për të mbledhur të ardhurat e tyre, si dhe cilat janë bashkitë që përforcojnë më mirë.
Po ashtu bashkitë janë analizuar edhe sa i përket aftësisë për të shkruar projekte dhe për të thithur fonde nga Bashkimi Europian. Në mbledhjen që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, janë prezentë edhe kryetarët e 6 bashkive të opozitës, që dolën fitues në zgjedhjet e 14 Majit 2023./ZËRI