
TIRANË – Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat. Soreca, duke folur për marrëveshjen për emigrantët me Italinë, tha se përfaqësuesit e BE-së kanë në duar tekstin e marrëveshjes dhe janë duke e shqyrtuar nëse është në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian.
“Ne e kemi marrë tekstin dy ditë më parë dhe e kuptojmë se ky tekst është vetëm një hap i parë. Për momentin është e parakohshme të japim një vlerësim për dokumente që kanë më shumë vlerë politike dhe jo ligjore. Në çdo rast BE dhe vendet anëtare mund të bashkëpunojnë me vendet e tjera, duke respektuar legjislacionin e BE-së”, tha Soreca.
Ndërsa, zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se marrëveshja për emigrantët me Italinë nuk është përfundimtare, duke shtuar se kjo marrëveshje do kalojë në parlament për ratifikim.
“Marrëveshja e firmosur nga kryeministri në Romë ka kaluar në qeveri të gjithë procesin e parashikuar dhe do të shkojë në parlamentin shqiptar për t'u ratifikuar. Nuk është marrëveshje, e cila ka përfunduar rrugëtimin e saj. Kryeministri ka bërë të qartë dhe askush nuk duhet të shqetësohet as për qëllimin dhe as kornizën juridike të saj, pasi respekton të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin e palëve.
Ne jemi një vend që na ndan 70 milje dhe kur vjen fjala për solidaritet jemi solidar me një vend strategjik dhe të pazëvendësueshëm si Italia. Na vjen keq që merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve. Është rrugë e gjatë deri në ratifikim. Do ta shkojë në parlament. Do ta dëgjoni marrëveshjen në komisione. Do jetë transparente dhe secili mund ta lexojë,”- deklaroi zv/kryeministrja Balluku.
Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë do t'i lejojë shtetit italian të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të dërguar emigrantët e shpëtuar në Mesdhe. Kjo marrëveshje do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera.
Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka vlerësuar edhe punën e SPAK, duke u shprehur se ka arritur rezultate, në disa hetime të zyrtarëve të nivelit të lartë. Soreca u shpreh se duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, duke shtuar se fokus i Strukturës Antikorrupsion duhet të jetë ndjekja e parave.
"Korrupsioni është një fushë që sjell shqetësime serioze. SPAK ka pasur hetime serioze në çështje të nivelit të lartë. Të vazhdohet me luftimin e kulturës së pandëshkueshmërisë. Autoritetet e drejtësinë do të kenë BE në krah të tyre. Ndjekja e parave duhet të jetë objektivi kryesor", tha Soreca.
Luigi Soreca foli edhe për klimën politike në vend, duke thënë se partitë politike duhet të bashkërendojnë e të punojnë së bashku. “Shpresoj të kthehet gjithçka shpejt në funksionalitet normal dhe apeli ynë është që të gjitha partitë të punojnë drejt bashkëpunimit dhe dialogut”, tha Soreca.
Më tej, Soreca vlerësoi se Reforma Zgjedhore duhet të kryhet në bashkërendim të maxhorancës dhe opozitës.
“Mesazhi kryesor është që të ketë dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës për reformën elektorale, duke trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR”, tha ambasadori.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Soreca deklaroi se mbetet objektiv, që brenda këtij viti, të hapen kapitujt e parë të negociatave me Shqipërinë.
“Shqipëria është angazhuar aktivisht dhe ka treguar nivel të lartë në procesin analitik. Dua të përgëzoj të gjithë skuadrën për përfaqësimin shumë të mirë të Shqipërisë në negociatat për BE. Objektivi ynë është që brenda këtij viti, të nisin të hapen kapitujt e parë të negociatave me BE-në.
Kemi hyrë në pikën kulmore të procesit të negociatave. Shqipëria do ketë mundësinë të tregojë një angazhim të qartë për përparimin e reformave”, u shpreh Soreca.
Ambasadori Luigi Soreca gjithashtu i dorëzoi sot qeverisë progres raportin e hartuar nga Komisioni Europian. Këtë herë, raporti iu dorëzua zv.kryeministres, pasi kryeministri Rama ndodhet në Francë, ku pritet të takojë presidentin francez, Emmanuel Macron./Zëri.ai/