
TIRANË – Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për ditën e hënë, datë 29 janar, ora 10:00, vendimin në lidhje me marrëveshjen për emigrantët me Italinë. Në njoftimin e publikuar për mediat, Gjykata Kushtetuese nënvizon se më 23 dhjetor, deputetët që paraqitën kërkesën për rrëzimin e marrëveshjes, kanë dorëzuar kërkesën edhe për disa prova shtesë lidhur me marrëveshjen.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Sot në datën 24.01.2024, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën plenare të radhës për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” ”.
2. Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30.
3. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenet 43 pika 1 shkronja “ë” dhe 44/a të ligjit organik të saj, që parashikon të drejtën e palëve të kundërshtojnë kërkesat, përfundimet dhe shpjegimet e palëve të tjera, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00.
Marrëveshja mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe homologes së tij italiane Georgia Meloni është dërguar në Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike. Më datë 6 nëntor, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni nënshkruan marrëveshjen, sipas së cilës Italia do të dërgojë në Shqipëri refugjatët që ndalohen në Detin Mesdhe. Refugjatët do të dërgohen në një qendër për pritjen e tyre, e planifikuar që të ndërtohet në Gjadër të Lezhës. Marrëveshja është planifikuar që të nisë në pranverën e 2024. Edhe pse marrëveshja ka pasur kritika, kryeministri Rama është zotuar se do ta kalojë atë në parlament.
Po gjatë ditës së sotme, Dhoma e Deputetëve në Itali i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët mes shtetit italian dhe atij shqiptar. /ZËRI/