Politikë

Zgjedhorja, zbulohet skenari që do të ndjekë ‘Rithemelimi’, Bardhi: Basha po luan për mandatin e tij

U pyetur drejtpërdrejtë nga gazetarët në lidhje me kërkesat e grupimit të Bashës për Reformën Zgjedhore, Bardhi tha se PD po trajtohet si një parti e vogël që lufton për 2 apo 3 mandate

E.K
Zgjedhorja, zbulohet skenari që do të ndjekë
Gazment BARDHI

TIRANË- Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku deputetët kanë vendosur që të tentojnë të bllokojnë sërish Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili do të mblidhet të premten. Opozita që përfaqësohet nga grupimi Berisha-Bardhi i qëndron kërkesës së bërë edhe më herët, për zëvendësimin e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, nga Enkelejd Alibeaj te Oerd Bylykbashi. Edhe të premten e kaluar, deputetët e opozitës zaptuan sallën e Komisionit për Zgjedhoren, duke pamundësuar mbajtjen e mbledhjes. Në deklaratat pas mbledhjes, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi u shprehën se mesazhet e OSBE ODIHR janë të qarta, dhe flasin për gjithëpërfshirje të të gjitha palëve në procesin e hartimit të Reformës Zgjedhore.

“U diskutua sesi duhet ta përshkallëzojmë këtë aksion, në terren jo vetëm në Kuvend. Strategjia e deputetëve të opozitës ishte si të gjejmë forma si ta intensifikojë aksionin tonë në bazë. Asnjë zë kundër nuk është. Opozita do ti kundërpërgjigjet”, u shpreh Flamur Noka, ndërsa gazetarët e pyetën dhe për praninë e Ferdinand Xhaferrajt në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Noka tha se nuk ka asnjë ndasi në radhët e opozitës. Ndërkohë që Gazment Bardhi u shpreh se Reforma Zgjedhore është lënë në harresë, dhe se palët e tjera nuk kanë interes të vërtetë në hartimin e saj.

U pyetur drejtpërdrejtë nga gazetarët në lidhje me kërkesat e grupimit të Bashës për Reformën Zgjedhore, Bardhi tha se PD po trajtohet si një parti e vogël që lufton për 2 apo 3 mandate.

“Duke pasur parasysh deklaratën e djeshme të OSBE ku theksohet nevoja për reformën zgjedhore dhe caktohen 4 prioritete që do duhet të ketë reforma zgjedhore, elimini i blerjes së votës, intimidim e votuesve dhe duke mbajtur në konsideratat rezolutën ku theksohet nevoja për gjithëpërfshirëseje por një përfaqësim të vërtetë të opozitë, ka vendosur të ridërgojë edhe njëherë duke shpjeguar gatishmërinë kushtetuese, të vullnetit të shumicës dërrmuese të deputetëve të opozitës në komisionin bipartizan.

Tradita është që opozita dhe maxhoranca, vullneti i njërës palë nuk mund t’i vendoset palës tjetër. Një tjetër fasadë e atyre që bllokuan reformën zgjedhore, Reforma ishte lënë dy vite në harresë, Komisioni i Venecias ka lënë rekomandime për koalicionet, që kaluan në vitin 2020. Kushdo që e ndjen veten në opozitë, duhet të fillojë pikërisht të kërkojë zhbërjen e tyre. Ju e dini që për listat e hapura unë kam qenë pro që në fillim, ne kemi djegur mandatet se nuk kishim garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe si opozitarë duhet t’iu qëndrojmë atyre betejave. PD nuk mund të luajë si parti e vogël, që punon të prodhojë mandat për zotin Basha dhe për 2-3 të tjerë. Nëse duan betejë për 2 apo 3 mandate, ajo nuk është një betejë e Partisë Demokratike. Ata e dinë qëndrimin që ne kemi për komisionet parlamentare, dhe mbledhjet thërriten për ti hedhur hi syve publikut”, tha Bardhi.

Gjatë ditës së sotme, Lulzim Basha në përgjigje të një deklarate të OSBE ODIHR, kërkoi që të gijitha palët të lënë pas lojërat për interesa vetjake, dhe të ulen në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB