Politikë

‘Fitur 24’, Rama intervistë nga Madridi: Shqipëria shihet ndryshe nga të huajt. Kryeministri takon Mbretin Filipe VI

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se pret që gjatë 2024, Shqipëria të vizitohet nga më shumë turistë.

D.XH
‘Fitur 24’, Rama intervistë nga Madridi: Shqipëria shihet
Edi Rama

MADRID – Shqipëria ka nisur sot promovimin ndërkombëtar, si një destinacion unik turistik. Vendi ynë ka marrë pjesë në panairin gjigand të turizmit “Fitur 24”, organizuar nga “IFEMA Madrid”, që është edhe pika globale e takimit për profesionistët e turizmit nga gjithë bota. Shqipëria po prezantohet me diversitetin e pasur të zonave të saj turistike.

Në një intervistë për mediat spanjolle, kryeministri Rama tha se gjatë 2024, pret që më shumë turistë të vijnë në Shqipëri. Ai shtoi se tashmë Shqipëria shihet ndryshe nga turistët europianë dhe jo vetëm. Rama foli pozitivisht edhe për raportet mes vendit tonë dhe Spanjës.

Intervista e plotë:

-Zoti kryeministër, pavijoni Shqipërisë shumë interesant nga “FITUR 24” këtu në Madrid. Çfarë interesi  dhe çfarë opinion përthithët nga takimet e rëndësishme që ju patët këtu?

Edi Rama: Sigurisht që tanimë Shqipëria është në një nivel tjetër dhe na takon që në këtë nivel të prezantohemi me shije, të prezantohemi duke bërë më të mirën brenda hapësirës që na lejojnë mundësitë tonë, sepse nuk jemi as Italia dhe nuk jemi as vetë Spanja, por jemi sidoqoftë një vend që sot është në vëmendjen e të gjithëve. Dhe në ndërkohë ky panair i pararend Panairit të madh të Berlinit, ku ne do të marrim stafetën e vendit pritës të vitit të ardhshëm, në Berlin, diçka e paimagjinueshme disa vite më parë dhe prandaj është e rëndësishme që jemi këtu sot dhe prandaj është e rëndësishme t’i japim kësaj përpjekje të gjithë mbështetjen institucionale sepse është edhe një tregues i seriozitetit me të cilin ne e kemi sfidën e Shqipërisë turistike 2030. Kështu që, në këtë kontekst edhe takimet që po bëjmë janë të rëndësishme, ashtu sikundër është shumë inkurajuese që të gjithë ata që sot kërkojnë të takohen me ne, deri jo shumë në kohë, as që nuk kishin asnjë interes për Shqipërinë, kështu që na bën mirë.

-Zoti kryeministër, gjatë 2023 në patëm mbi 10 milion turistë që vizituan Shqipërinë, 2024 pritet të ketë nivele edhe më të larta sesa kaq, sipas pritshmërive që juve keni, por edhe punës natyrisht. Ju po synoni, qeveria, drejt turizmit elitar. Kur do të ndodhi kjo?

-Edi Rama: Së pari pa diskutim që këtë vit ne do të kemi një rritje të mëtejshme të numrit sepse këtë e konfirmojnë edhe operatorët që janë këtu dhe që praktikisht kanë mbyllur rezervime edhe për vitin 2025 dhe nga ana tjetër na duhet të shtyjmë shumë më fort edhe për investime të reja sepse përndryshe do të gjendemi në një situatë të padëshirueshme dhe te papëlqyeshme midis një kërkese që rritet dhe një oferte që nuk arrin dot të rritet në proporcion me kërkesën sepse mbase nuk do arrijnë dot, se ka një limit kjo gjë, që ta balancojmë kërkesën dhe shyqyr që kërkesa të jetë më e lartë, por jo në pikën që kërkesa të jetë aq e lartë saqë pastaj njerëzit të fillojnë të dekurajohen, të thonë “atje nuk shkohet se s’ka ofertë të mjaftueshme”. Kështu që, ky është një proces dhe në këtë proces besoj që jemi në rrugën e duhur, por me e rëndësishmja  është që na ndihmon jashtëzakonisht shumë fakti se Shqipëria sot është diçka krejt tjetër, në sytë e të gjithëve.

-Zoti Kryeministër ju patët takime edhe me mbretin Felippe VI të Spanjës. Natyrisht që ishte një takim mjaft miqësor ai me kryeministrin Sanches gjatë ditës së djeshme dhe Spanja po luan dhe po mban një qëndrim diplomatik mjaft interesant duke iu referuar edhe lëvizjes së lirë te qytetarëve të Kosovës. Si do të vijojë bashkëpunimi në të ardhmen dhe a ka projekte konkrete në zbatim?

Edi Rama: Me Spanjën i kemi marrëdhëniet më të mira se asnjëherë me parë në sensin jo se kanë qenë të këqija më parë, por kanë qenë marrëdhënie të mira midis palësh që as nuk takoheshin ndonjëherë, por që kemi patur vizita të nivelit edhe më të lartë. Edhe kryeministri vetë e ka vizituar Shqipërinë. E kemi vizituar ne Spanjën dhe unë kam vizituar kryeministrin dy herë tanimë këtu, kështu që është një marrëdhënie le të themi, e nivelit më të mirë të komunikimit dhe të punës së përbashkët dhe sigurisht që ka një interes të shtuar të Spanjës në aspektin e biznesit në Shqipëri dhe nuk është vetëm turizmi, por edhe sektorë të tjerë të sipërmarrjes spanjolle janë interesuar që të eksplorojnë Shqipërinë dhe të eksplorojnë gjithë rajonin.

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama takon mbretin Filipe VI

‘Fitur 24’, Rama intervistë nga Madridi: Shqipëria shihet
Edi Rama dhe Filipe VI

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Spanjë, ku po merr pjesë në panairin global të turizmit, “Fitur Madrid”. Shqipëria ka nisur të promovohet ndërkombëtarisht si një destinacion unik turistik, në panairin, e organizuar nga IFEMA MADRID. Kreu i qeverisë Rama ka publikuar disa foto me Mbretin e Spanjës, Filipe VI dhe me investitorë dhe operatorë të ndryshëm turistikë. “Madrid, Spanjë- Me Mbretin Felipe VI dhe më pas me investitorë dhe operatorë turistikë, në panairin global të turizmit “FITUR Madrid”, ku Shqipëria gëzon një vëmendje të veçantë si surpriza befasuese e sezonit të kaluar”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Spanjë, ku po merr pjesë në panairin gjigand të turizmit, “Fitur 24”, organizuar nga IFEMA Madrid. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB