
TIRANË – Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, në një intervistë për mediat italiane, ka folur për marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
"Marrëveshja për emigrantët? Më duket marrëveshje si shumë të tjera. Shqipëria tashmë është ribashkuar me Italinë dhe me Evropën”, ka thënë Kadare.
Në intervistën ku flet edhe për shumë tema të tjera, Kadare shprehet se marrëveshja për të nuk paraqet asnjë lloj problemi. “Shqipëria dhe Italia kanë një miqësi më shumë se 500-vjeçare. Më tepër se 500 mijë shqiptarë jetojnë e punojnë në Itali. Ka martesa të përziera, kompani të mëdha ndodhen tashmë në Shqipëri. Kështu që vendet tona janë të bashkuara prej shumë kohësh”, shprehet shkrimtari i njohur.
Çfarë duhet të festojmë sot më 9 nëntor?
Më 9 nëntor, ra Muri i Berlinit. Sot, tridhjetë e katër vjet më parë, u mund komunizmi dhe u kthye ëndrra e lirisë. Edhe nëse politika në përditshmërinë e saj ka qenë dhe është shumë herë anti-evropiane, ne jetojmë në kontinentin evropian. Marksizëm-leninizmi është mundur, diktatorët dhe autokratët nuk do të fitojnë mbi frymën evropiane.
Si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë dhe sa shpejt mund të hyjë në BE?
Jam shumë optimist. Unë gjithmonë pres një ndryshim, një Shqipëri ndryshe dhe besoj se kombi im shumë shpejt do të bëhet më i mirë nga sa mund ta imagjinoj. Ky është momenti ynë, shansi ynë. Ka shqiptarë në udhëheqje dhe qeverisje në disa vende të Ballkanit, nga Kosova në Maqedoninë e Veriut. Mbajtëm me nder mbi supe, traditën letrare më të vjetër në botë, atë latine, dhe atë greke, djepin e parë të letërsisë. Ëndrra evropiane e kulturës filloi mes brigjeve tona dhe tuaja. Popujt mund të ndahen ose të bashkohen, por ne tashmë jemi ribashkuar, edhe nëse politika është më e ngadaltë në këtë proces.
Dikush mes Brukselit, godinave qeveritare të shteteve evropiane egocentrike dhe fqinjëve tuaj ballkanikë, duhet të lexojë dhe të dëgjojë më shumë. Ju jeni një mbështetës i madh i integrimit. Pse keni pritur kot 20 vite?
Jeta e përditshme e politikës ka shumë faza. Në Shqipëri ëndrra liberale nuk u shua asnjëherë, as në kohën e diktaturës, kur Enver Hoxha vrau e burgosi armiqtë, pa të keqen që duhej luftuar tek europianizmi dhe mendohej vetëm për sovjetikët. Por e rithem, marksizëm-leninizmi, armiku më i madh i njerëzimit, është mundur.
Rusia e Putinit është larg nga "ëndrra evropiane". Çfarë menduat kur shpërtheu lufta në Ukrainë?
Ishte një turp. Një luftë e re në Evropë për të thyer gjithçka përsëri. Rusia mbeti e ngrirë shpirtërisht në privimin e lirisë.
Ka nga ata që e krahasojnë Putinin me Stalinin. A jeni dakord?
Unë nuk e di nëse janë njësoj. Por diktatorët janë njerëz të vegjël. Siç e them në librin tim të fundit për Pasternakun (i cili do të dalë në italisht në muajt e ardhshëm, në origjinalin shqip titullohet "Kur tiranët grinden", i përkthyer në anglisht me titullin "A dictator calls") , autokratët nuk dominojnë asgjë, dhe herët a vonë bien. Shkrimtarët dominojnë shpirtin e një populli. Pushteti bën vetëm marrëveshje të vogla.
Meqë po flasim për marrëveshjet, çfarë mendoni për atë të parashikuar mes Ramës dhe Melonit për të sjellë emigrantë në Shqipëri?
Këto janë gjëra të vogla që ndodhin mes qeverive, nuk më interesojnë këto. Siç thashë, Shqipëria dhe Italia janë tashmë të bashkuar: janë 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, shumë italianë janë shpërngulur në Shqipëri, ka martesa të përziera, kompani të mëdha janë ngritur këtu. Ku qendron problemi? Tek një marrëveshje?
A është e drejtë të ndalosh emigrantët jashtë Evropës? A është njerëzore apo çnjerëzore kjo politikë?
Evropa është një vend i bukur dhe të gjithë duan të vijnë këtu, kjo është normale. Njerëzit kanë lëvizur gjithmonë, që nga kohërat e lashta. Nuk e kuptoj askënd që nuk është dakord.
Për vite e vite keni qenë kandidat për çmimin Nobel, që nuk e fituat dot. A jeni ende duke pritur për të?
Jo, jam i mërzitur. Nuk e kam menduar prej vitesh. Çmimi nuk është i rëndësishëm për mua si shkrimtar, por për kulturën shqiptare. Shqiptarët meritojnë shumë.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë. /Zëri.ai