
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli me tone të ashpra rreth vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur atë antikushtetues dhe një kapitull turpi në historinë e drejtësisë shqiptare. Nga dritarja e shtëpisë së tij, ku mban fjalimin e përnatshëm, Berisha kritikoi kryetaren e gjykatës për mungesë gjykimi dhe përgjegjësie, duke theksuar se vendimi i saj është në nivelin e një gjykate fakti dhe jo të një institucioni kushtetues. Kryedemokrati, Sali Berisha tha se ky vendim e shpall vetë Gjykatën Kushtetuese si antikushtetuese dhe bie ndesh me parimet e ndarjes së pushteteve. Kryedemokrati, Sali Berisha nënvizoi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ku, do të ketë një gjykim të drejtë dhe objektiv, ndryshe nga mënyra si trajtohen këto çështje në Shqipëri.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, para se të vinit këtu, kryetarja e Gjykatës Antikushtetuese doli në konferencë shtypi. Doli në konferencë shtypi dhe informoi një vendim të turpshëm, një vendim që dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë. Një vendim që është i barabartë me një të një gjykate fakti. Një vendim që Gjykatën Kushtetuese e shpall jokushtetuese, antikushtetuese. Edhe njëherë miq, ndjehem krenar që mbrojta Kushtetutën, qëndrova kundër puçit që i bëri parlamentit një grusht horrash në organizatën kriminale të Skapit të partisë dhe gjykatësja me 5 mbiemra. Mbrojtja Kushtetutën, ndarjen e pushteteve nga një puç i ulët. Kurse Gjykata Kushtetuese, në një vendim të turpshëm, quan joproporcional, nuk bën fjalë se i merret pushteti parlamentit me vendimin ekstrakushtetuese, ekstraligjor. Një kapitull tjetër i turpit, i paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ulsi Manja me dokumente se Rama na njoftoi për vendimin që do merrej. Sigurisht miqtë e mi, çështja është në Strasburg, por është e turpshme të dërgohet një vendim i tillë.
Por në narkoshtet, siç e cilësoi rezoluta e 109 partive politike, nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë. Narkoshteti ka vetëm vullnetin e narkodiktatorit dhe ky është vendimi i turpshëm që informoi sot, vendim në të cilin gjykata tregoi nivelin e saj mjeran. Shkeli Kushtetutën. Shkeli ligjin e vet. Shkeli ligj e vet si skllevër të diktatorit të narkoshtetit. Pra, është radha jonë. Është radha jonë. Është radha jonë. Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese damkosi në mënyrë të përsëritur veten e vet. Njerëz pa karakter, pa moral ligjor, mercenarë. Por të gjitha këto do shkojnë në Strasburg, në gjyqin e Europës, në gjykatën që mbron konventën evropiane të të drejtave të njeriut. Dhe ata nuk shkruajnë siç bëjnë këta këtu, që sillen si zuzarë ndaj Kushtetutës, ndaj ligjeve. Nuk shpallin antikushtetues mosmarrjen e lejes në parlament, por thonë se nuk ishte proporcion. Sigurisht këta janë gjykatës me probleme shumë madhore, por është radha jonë.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi Berishën përsa i përket masës së parë të sigurisë “detyrim paraqitjeje”, por shtoi se “ndalimi i daljes jashtë vendit” është i panevojshëm. Megjithatë, kjo është e parëndësishme, pasi Berisha ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, masë që u ashpërsua pasi kryedemokrati nuk iu bind masës së parë “detyrim paraqitjeje” dhe nuk u paraqit në SPAK. Por, edhe masën “arrest shtëpie”, avokatët e Berishës e kanë ankimuar një ditë më parë dhe pritet që Kushtetuesja të dalë me një tjetër vendim.