
SHKODËR- Detaje të reja janë publikuar në media, nga mbledhja e kryeministrit Edi Rama, me kryebashkiakët e të gjithë vendit. Një prej çështjeve që është trajtuar që në nisje të këtij takimi nga kryeministri Edi Rama, ka qenë ajo e aplikimit të bashkive për fonde nga BE. Ndërkohë që Rama e ka kushtëzuar mbështetjen për bashkitë nga ana e qeverisë, me performancën që ato do të kenë në sektorë të ndryshëm të qeverisjes vendore.
“Kush performon më mirë do të ketë mbështetje nga Ministria e Financave kur shpërndan grantin e pakushtëzuar. Pra do ketë një dallim ndryshe për ato bashki që kanë performancë më mirë krahasuar me ato me probleme dhe ta zhytura në borxhe ndaj palëve të treta”, mësohet që të jetë shprehur Rama gjatë mbledhjes. Ndërkohë që pika e dytë e diskutimeve të Ramës është fokusuar te burimet njerëzore. Sipas tij do të ketë një rishikim të pagave të administratës për t’i përafruar me pagat e qeverisjes qëndrore.
“Synimi ynë është që të kemi unifikim të pagave mes pushtetit vendor dhe pushtetit qendror”, ka vijuar Rama arsyetimin e tij. “Ky disnivel pagash shikohet edhe po të krahasohet mes të punësuarve nga njëra bashki në tjetrën. Përshembull nëse një inxhinjer i punësuar në Bashkinë Durrës paguhet me 80.000 lekë, një inxhinier i punësuar në Bashkinë Fushë Krujë paguhet 40.000 lekë.
Ky nivel pagash po krijon boshllëqe dhe pamundësi rekrutimi punonjësish në të gjitha bashkitë e vendit”, ka thënë Rama gjatë mbledhjes.
Ndërkohë që ministri i shtetit për pushtetin vendor Arbjan Mazniku, foli për borxhet e bashkive, ku lista kryesohet nga Kavaja dhe Vora. /ZËRI