
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, nuk i druhet një përballje me SPAK, për të cilin tha se po punon me regji të Edi Ramës, dhe se nuk po ndërmerr asnjë hetim ndaj zyrtarëve që janë aktualisht me pushtet. I pyetur nga gazetarja e Zëri-t, Florida Mingla, se kush do te jëtë politikani i radhës që do të ketë llogari me SPAK, Meta tha se udhëzimet se kush do të goditet janë dhënë në Kongresin e Partisë, duke nënkuptuar deklaratat e Ramës në Kongresin e Socialistëve.
ZËRI: A është opozita sot më e dobët? Dhe pyetja e dytë, a ju frikëson edhe ju z.Meta një 'drejtësi' që ju dhe Berisha e konsideroni politike? A mund të themi sot 'kush e ka radhën', nëse gjithmonë i orientohemi qendrimit tuaj se drejtësia është e kapur dhe SPAK vepron me porosi politike
Meta: Pa asnjë diskutim që udhëzimet janë dhënë në Kongresin e Partisë. Ato janë publike, janë të qarta, dhe përpjekja për të krijuar një iluzion sikur po goditet nga të dyja anët është me regji nga lart. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse i shërben regjimit. Edhe sakrifikimet e personave të caktuar, janë regji për vazhdimin e të gjitha aferave, dhe dihet që përfituesi kryesor në të gjithë këtë historinë e aferave është Edi Rama.
Meta e cilësoi vendimin e Kuvendit për të autorizuar arrestimin e Berishës si antikushtetues, ndërsa tha se kjo bëhet me qëllim frikësimin e opozitës.
Sot, Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e Berishës dhe kërkesa u miratua me 75 vota pro. Në seancë ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Rama, ndërsa munguan deputetët e Bashës. Paralelisht me seancën, mbështetësit e Berishës u mblodhën në protestë para Kuvendit, të cilën e përshëndeti shkurtimisht edhe ish-kryeministri. SPAK kërkoi masë më të ashpër sigurie për Berishën, për shkak se ish-kryeministri nuk zbatoi masën e detyrimit të paraqitjes që ishte caktuar më parë nga Gjykata e Posaçme. Berisha dyshohet për akuzën e korrupsionit, që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i partisë./ZËRI