Politikë

Arrestimi i Berishës, Meta: Akt antikushtetues i Kuvendit (Nuk pranon drejtimin e opozitës)

Në një deklaratë për mediat, Meta tha se Gjykata duhet ta kishte zgjidhur çështjen e Sali Berishës larg diktatit të Edi Ramës.

E.K
Arrestimi i Berishës, Meta: Akt antikushtetues i Kuvendit (Nuk pranon
Ilir Meta

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë në një konferencë me gazetarët, ku e ka cilësuar antikushtetues vendimin e Kuvendit, për të autorizuar arrestimin e Sali Berishës.

“Heqja e imunitetit të Sali Berishës është një akt antikushtetues, parlamenti ka vepruar me dy standarde", u shpreh Meta, ndërsa u pyet nëse do të pranonte ai të drejtonte opozitën në rast se Berisha arrestohet. 

Kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se kush është ligjërisht në krye të PD-së është një vendim që Gjykata do duhet ta kishte dhënë me kohë, por që e ka zvarritur pas urdhrit të Edi Ramës.

“Përgjegjësitë e PD janë të rëndësishme dhe janë të vendosura nga vota, sa i takon rolit të Berishës, ai e ka bërë të qartë se asnjë masë ndaj tij nuk e ndryshon vendosmërinë e tij për të drejtuar PD, për fuqizimin e PD. Gjykatat duhet ta kishin zgjedhur me kohë larg diktatit të Edi Ramës, është zvarritur vetëm për interesa të Edi Ramës, që kërkon konfuzion në opozitë dhe të godasë opozitën për qëllimet e tij”, deklaroi Meta.

Meta tha në konferencën me gazetarët se nuk kishte asnjë frikë dhe asnjë shqetësim nëse do të ishte radha e tij për t’u përballur me SPAK. 

“Nuk kam asnjë frikë dhe asnjë shqetësim për këtë çështje, edhe vetë zoti Berisha ka qenë i hapur që të bashkëpunojë me drejtësinë, ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur, në shkelje të Kushtetutës.

Zoti Berisha nuk është një deputet i zakonshëm pasi është lider i forcës kryesore opozitare, sa më takon mua, nuk kam pasur dhe nuk do kem ndonjëherë frikë. Miti i të paprekshmëve është një përrallë.

Ai nuk është më një zyrtar në detyrë, është nën hetim për një çështje që ka qenë e shumëdiskutuar që në nisje. Ndërkohë që kemi një kryetar bashkie që ka rrëmbyer firmat e të gjithë kryetarëve të qarkut, dhe një kryeministër që nuk i përmendet emri. Kështu që besoj se situata është shumë e qartë”, tha Meta.  

Meta u pyet me këmbëngulje nga ana e gazetarëve, nëse ka një përçarje mes tij dhe Sali Berishës, pasi prej kohësh mes tyre nuk ka pasur takime publike, ndërsa vetë ai nuk ka qenë pjesë e protetës së mbajtur nga mbështetës të ish-kryeministrit. Sipas Metës një përçarje e tillë nuk është e vërtetë, dhe se ai e Berisha janë bashkë për çështje madhore. /ZËRI

Poll

MOS HUMB