
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht Prokurorinë e Posaçme për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Njoftimi vjen brenda një afati kohor brenda dy orësh nga votimi në seancën e mbajtur ditën e sotme në Kuvend.
Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht SPAK për vendimin e marrë, duke i hapur rrugë kështu që organi i akuzës t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Berishës, nga ajo e detyrimit me paraqitje me gjasë nën masën e “arrestit në shtëpi”.
“Bashkëlidhur ju dërgojmë: Vendim nr. 127/2023 “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. Gjithashtu, bashkëlidhur ju dërgojmë edhe raportin rekomandues të deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, dhe raportin rekomandues të deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, thuhet në dokumentin e dërguar në SPAK nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

"KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.

Sot, Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e Berishës dhe kërkesa u miratua me 75 vota pro. Në seancë ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Rama, ndërsa munguan deputetët e Bashës. Paralelisht me seancën, mbështetësit e Berishës u mblodhën në protestë para Kuvendit, të cilën e përshëndeti shkurtimisht edhe ish-kryeministri. SPAK kërkoi masë më të ashpër sigurie për Berishën, për shkak se ish-kryeministri nuk zbatoi masën e detyrimit të paraqitjes që ishte caktuar më parë nga Gjykata e Posaçme. Berisha dyshohet për akuzën e korrupsionit, që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i partisë./ZËRI