
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur sot rrugën Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që t'i heqë lirinë kryedemokratit Sali Berisha. Me 75 kartona jeshilë të ngritur sot nga deputetët e Partisë Socialiste, është hapur rruga që SPAK të kapë "peshkun më të madh" në historinë e krijimit si institucion; një ish-president dhe një ish-kryeministër.
Pritet që nga momenti në moment, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai të shkojnë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Aktualisht, Berisha ka masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje", të cilën nuk e respektoi në asnjë moment. Duke qenë se asnjëherë nuk u paraqit para OPGJ-së, SPAK kërkoi ashpërsimin e masës së sigurisë.
Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, me pretendimin se nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi. Kështu që është çështje minutash që në GJKKO të shkojë një letër për arrestimin e tij. Vetë Kraja tha në mbledhjen e Këshillit të Mandateve: Kemi kërkuar leje për të dyja, arrest shtëpie dhe arrest me burg, por në bazë të akteve të dosjes do i kërkojmë gjykatës njërën prej tyre. Se çfare do bej gjykata është në dorën e saj. Gjykata deri tani na ka dhënë të drejtë. Duhet të dukemi që nuk jemi të njëanshëm. Ne kemi kompetencë të hetojmë funksionarët shtetërorë nuk mund të jemi në dukje të paanshëm. Ne kemi për detyrë, që kur ka një kallzim të nisim hetimet. Ne nuk i ndalojmë dot fjalët që i dha urdhër këtij apo atij. Në jetën time nuk jam marrë me politikë, nuk më ka shkuar ndonjë herë në mend dhe nuk do jem asnjë herë pjesë e politikës.
-
Berisha drejt arrestimit, e ardhmja e opozitës në pikëpyetje
21 Dhjetor, 11:17
Edhe pse e ka në skenar, arresti me burg duket më e pamundur për Berishën, për shkak të moshës së tij. 79-vjeçari mund t'u shpëtojë prangave, por jo një byrzylyku të vendosur në këmbë. E gjitha ka mbetur në dorën e SPAK. Deri në përfundimin e ditës së sotme të përpilohet kërkesa e SPAK për t'i vendosur prangat ose të izolojë në banesën e tij një prej personazheve që ka dominuar politikën që prej shpalljes së pluralizimit në vend. Vendim që ndoshta, do të sjellë fundin e një epoke. Tani e gjitha është në dorën e GJKKO-së. Vendimi i Gjykatës (i cili mund të merret sot ose nesër) mund të ndryshojë kursin e politikës në vend./ZËRI