
TIRANË- Fiks 2 muaj nga arrestimi i dhëndrit të tij, tashmë është radha e Sali Berishës, për ta gjetur veten në masën e arrestit, në shtëpi apo në burg, kjo është një çështje që i takon prokurorëve të SPAK. Kuvendi i dha sot autorizimin Prokurorisë për arrestimin e Berishës, ndërkohë pritet të jetë çështje orësh që SPAK t’i kërkojë Gjykatës ashpërsimin e masës për ish-kryeministrin.
Arsyeja se pse SPAK kërkoi një masë më të ashpër në këto momente për Sali Berishën, lidhet me refuzimin e tij të vazhdueshëm që të zbatonte vendimin e GJKKO, që e detyronte atë të paraqitej dy herë në muaj përpara oficeres së policisë gjyqësore.
Ligji parashikon që kushdo që nuk respekton masën e sigurisë që i është ngarkuar, do të përballet me një masë më të ashpër. Edhe pse Berisha e dinte këtë parashikim ligjor, ai e cilësoi deri në fund një shkelje të Kushtetutës dhënien e masës detyrim paraqitje nga GJKKO, pa marrë më parë miratimin e Kuvendit.
Dosja Partizani që mund të sjellë fundin politik të Berishës
Sali Berisha akuzohet për korrupsion madhor të funksionarëve të lartë të shtetit, për shkak se dyshohet se gjatë mandatit të tij si kryeministër ka favorizuar dhëndrin e tij, për të përfituar ish-pronat e familjes.
Edhe pse kompleksi Partizani ishte në listën e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk mund të privatizohej, me ardhjen në pushtet të Berishës në vitin 2005, nisi puna, fillimisht për tjetërsimin e destinacionit të truallit, dhe më pas ndërtimin e 17 godinave nga Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Jamarbër Malltezi i hyri kësaj historie si përfitues i vetëm 144 metrave katrorë, por sot gëzon 5.4 milion euro pasuri, tashmë e sekuestruar nga ana e SPAK. Berisha akuzohet nga SPAK se ka ushtruar presion dhe ndikim te vartësit e tij, në mënyrë që të kalonin ligjet që të favorizonin pikërisht marrjen e pronës nga Malltezi.
Në katër vite qeverisje, në të gjithë këtë histori u përfshinë 3 ministra të mbrojtjes Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli, Ministri i Financave Ridvan Bode, drejtoria e përgjithshme e hipotekës, drejtorët lokalë dhe të përgjithshëm të Agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave, këshilli i ministrave për të votuar të paktën tre VKM dhe një akt normativ, disa gjeneralë dhe oficerë të lartë të forcave të armatosura dhe dhjetëra zyrtarë publikë.
Vetë Berisha dhe Malltezi kanë mohuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj tyre, me pretendimin se një kryeministër nuk mund të akuzohet se ka kaluar ligje që i shërbejnë mijëra njerëzve.
-
"Partizani", fundi i Berishës?
8 Nëntor, 11:41
Pas 33 vitesh në politikën shqiptare, Sali Berisha është tashmë pa imunitet deputeti, dhe në pritje të vendimit të Gjykatës së Posaçme, për masën e sigurisë ndaj tij.
/ZËRI