Politikë

Ku e ka zanafillën revolta e sotme e opozitës në Kuvend?

Në seancën e kaluar parlamentare, kishte debate të shumta mes maxhorancës dhe opozitës. Pasi u miratua Rezoluta për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, u rrëzua kërkesa e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore për publikimin e të dhënave të TIMS dhe për koncensionet në shëndetësi.

D.XH
Ku e ka zanafillën revolta e sotme e opozitës në Kuvend?
Bardhi dhe Berisha

TIRANË -  Sot, deputetët opozitarë të grupimit të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, kanë shprehur revoltën e tyre në parlament, duke bllokuar foltoren dhe hipur në karriget e ministrave të qeverisë.

Ata nisën revoltën, duke kënduar këngë patriotike, edhe pse dritat në sallën e parlamentit u fikën. Por, si nisi revolta e grupimit të Berishës dhe Bardhit?

Më 12 tetor, në parlament u zhvillua një seancë e tensionuar, sidomos në mbyllje të saj. Kjo pasi në Kuvend, u miratua Rezoluta për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa u rrëzua kërkesa e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, në lidhje me daljen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe koncesionet në shëndetësi.

Pas votimit, kryetari i PD Sali Berisha reagoi ashpër, duke thënë se ishte futur në rend dite, në mënyrë tinzare, kërkesa e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore dhe “vendimi i Edi Ramës për t’i përcaktuar opozitës në reformën zgjedhore, AliBashën”.

“Në një mënyrë tinzare, bandisteske, e keqpërdorur në shkallë ekstreme, kryetarja e parlamentit, futi çështjet themelore, kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare dhe vendimin e Edi Ramës për t’i përcaktuar opozitës në reformën zgjedhore, AliBashën”, deklaroi Berisha.

Sali Berisha akuzoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla se ka shkelur me të dyja këmbët, rregulloren e parlamentit. “Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Rendi i ditës mësohet se është i tillë në fund të seancës së Kuvendit dhe votohet. Nuk ka pasur dijeni aspak opozita, se kërkesa për komisione hetimore ishin në rend dite. Rendi i ditës ishte vetëm Rezoluta e Kosovës, ndërsa çështjet e tjerat janë futur tinëzisht nga Edi Rama. Një skenë e tillë mund të ndodhë vetëm në Kuvendin e Bjellorusisë”, akuzoi Berisha.

Ndërsa, dy ditë më parë, në një deklaratë për mediat, edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar se maxhoranca është duke bllokuar hapësirat e opozitës në Kuvend, duke e detyruar këtë të fundit të kryejë vendime ekstreme.

“Maxhoranca t’i kthehet rrugës normale të funksionimit të parlamentit. Nuk kemi aspak për synim që të pengojmë punën në Kuvend, por tentativa e Edi Ramës që të zhdukë opozitën, po i çon deputetët e saj në vendime ekstreme”, tha Bardhi.

Ndërkohë, një ditë më parë, deputetët e PD-së kanë debatuar ashpër në Komisionet Parlamentare, pasi ata thanë se maxhoranca nuk lejoi ngritjen e Komisioneve Hetimore dhe bllokoi Reformën Zgjedhore. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese shtyu mbledhjen më shumë se një orë, sepse mungonin deputetët e opozitës.

Edhe në Komisionin e Ligjeve, deputetët e opozitës, pasi kanë dëgjuar propozimin e koleges së tyre, Jorida Tabaku, për ligjin e prokurimeve, nismë që është rrëzuar nga mazhoranca, debatuan ashpër me kolegët socialistë dhe braktisën mbledhjen.

Sot, në parlament, kishte një revoltë nga deputetët e drejtuar nga Sali Berisha dhe Gazment Bardhi. Deputetët demokratë shprehen se maxhoranca po tenton të eliminojë opozitën e vendit. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB