
TIRANË- Bota, që nga krijimi i saj ka parë disa histori dashurish! Platnike, të njëanëshme, tragjike, por asnjë nuk i ngjan dashurisë “së çuditshme” mes Sali Berishës dhe Ilir Metës. Por tani, më shumë se kurrë i ngjan asaj së Romeos dhe Zhuljetës. Berisha, edhe pse në majë të ballkonit të tij, nuk ia var; e nga ana tjetër, Meta po bën çmos që t’i tërheqë vëmendjen. E ngjashme ka qenë tentativa që disa vite më parë, Edi Rama bënte ndaj Lulzim Bashës. Gjatë gjithë fushatës zgjedhjet vendore të zgjedhjeve të 30 qershorit, Rama tregonte se për marrëveshjen e 17 majit, i ishte lutur Bashës, si Romeo-Zhuljetës.
“Dy vjet më parë kam heq shumë keq duke iu lut Lulit, i jam lut më shumë se Romeo Zhuljetës,”- deklaronte Rama.
Rolin e tij, tanimë e ka marrë Ilir Meta që kurrë nuk e ka fshehur dashurinë për Sali Berishën, të paktën sa herë ishte në koalicion me të. Aty-këtu, edhe ia thoshte ndonjë fjalë. Për shembull dikur, nga ulësja e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta i përmendi për herë të parë Berishës një video të djalit të tij, Shkëlzenit.
“Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty,”- tha Meta. Për mos vijuar më pas me akuzat dypalëshe që janë thënë aq shumë herë saqë janë bërë normale. Je pjesë e bandave, je kriminel, je hajdut, nuk janë më interesante dhe as nuk tërheqin vëmendjen. Po atë kohë, kur Meta mantrën e tij personale kishte: Me qetësi dhe me dashuri!, emocionet nuk i kursente ndaj “doktorit”. Aq sa arriti që ta quante pikën e tij të dobët, duke e diferencuar në 139 politikanë të tjerë që ishin në sallë.
Edhe pse e gjatë, historia e dashurisë vazhdon…vetëm nga një anë ama!
Në kohën kur Berisha po përballej me drejtësinë, madje dhe u vendos në pranga, Ilir Meta nuk u duk gjëkundi. Publikisht jo e jo, por as me ndonjë postim sa për sy e faqe. Reagimet ia ngarkoi për detyrë Petrit Vasilit. Por tani, ka një “boom” dashurie. Ndoshta nga distanca. Në fund të fundit, Berisha ka 5 muaj që nuk takon kolegë dhe që nuk del dot nga shtëpia.
Është në kushte të vështira e vërtetë, por jo të pamundura. Edhe Meta mund t’i kishte shkuar poshtë ballkonit si një Romeo i vërtetë por nuk e ka bërë deri më sot. Justifikimin e kishte të thjeshtë ta shtjellonte.
“Nuk më ka ftuar Flamur Noka,”-tha Meta. Çudi! Më shumë për faktin që Noka ishte shumë i gatshëm që të ftonte edhe Gazment Bardhin që ka bërë akuza direkte fillimisht ndaj vetë demokratit dhe për të kaluar tek Berisha. “Vila luksoze, babai i Xenit, Gërdeci”, të gjitha u harruar për një xhiro tek “Rrugica e shpresës”, ku Bardhi u prit me brohorima. Çfarë ka bërë Meta kaq të rëndë që “doktori” nuk ia fal?
Por fakti që është refuzuar disa herë nuk e ndalon Metën që të tentojë sërish, me çdo mundësi që ka…
Bën video me Alfred Lelën, këndon këngë me tupana për Berishën, e përshëndet kudo që të ia përmendin, madje-madje…për të liron edhe karrigen e kryeministrit. Të gjitha këto deklarata i ka bërë, ndoshta në kushte të një mendjeje jo të kthjellët, por i ka bërë. Diçka ka shkuar keq! Aq keq, saqë Berisha bën çmund nga dritarja e shtëpisë së tij për t’i dhënë zë çdo gjëje që konsideron skandal, por Metën e harron gjithmonë! Aq keq ka shkuar diçka mes tyre, saqë dashuria jo e jo, por nuk i bashkon as urrejtja për Altin Dumanin./ZËRI