Politikë

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë ‘zbret’ në terren, inspektimet nisin nga spitali i Durrësit

Albana Vokshi, deklaroi se informacionet e marra në këto vizita do të referohen në komision, ndërsa edhe Ndreca u shpreh se përfundimet e këtyre takimeve do të shfaqen në materialin përfundimtar që do të përpilohet nga deputetët. 

E.K
Komisioni Hetimor për Shëndetësinë ‘zbret’
PAMJE NGA KONTROLLET

DURRËS- Anëtarët e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi kanë zhvilluar sot kontrollin e parë në spitalin rajonal të Durrësit për të parë si kanë funksionuar "check up" dhe sterilizimi. Deputetët fillimisht zhvilluan një takim me drejtues të spitalit, e më pas, panë nga afër sesi funksionojnë pajisjet dhe sesi kryer sterilizimi i pajisjeve mjekësore. Për sa kohë ishin në spital, kryetarja e Komisionit, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi e socialisti Plarent Ndreca thanë disa prononcime për mediat vendase.

Albana Vokshi, deklaroi se informacionet e marra në këto vizita do të referohen në komision, ndërsa edhe Ndreca u shpreh se përfundimet e këtyre takimeve do të shfaqen në materialin përfundimtar që do të përpilohet nga deputetët. 

"Gjykoj se patëm një diskutim konstruktiv, informativ me drejtuesen e spitalit, me disa shefa shërbimesh, me nëndrejtoreshën për çështjet ekonomike, si edhe me kryeinfermierin e spitalit, duke trajtuar të gjithë procesin që nga procedura e parë e sterilizimit,"- deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

"Është një vizitë, që do të vijojë edhe në institucione të tjera. Pas hapave procedurialë do të dalim në konkluzione kur të përfundojë puna e Komisionit Hetimor,"-u shpreh nënkryetari socialist Plarent Ndreca.

Duke nisur nga Durrësi, për dy javë komisioni hetimor do të jetë në terren për të marrë informacion dhe parë nga afër ecurinë dhe mënyrën e operimit të dy koncesioneve. Vizita do të zhvillohen edhe në spitalin e Traumës, Shkodrës, Lushnjës dhe Vlorës. Më pas, në qershor do të nisin seancat dëgjimore me institucionet, ndërsa konkluzionet do të jepen më 21 korrik.

Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB