Politikë

Komisioni Antikorrupsion/ Opozita bojkot, Xhafaj mbledh Sekretariatin Teknik, ndahen DETYRAT

Raportohet se në mbledhje janë ndarë disa detyra që lidhen me punën organizative të komisionit dhe zbatimin e vendimeve që u morën në mbledhjen e parë të tij.

E.K
Komisioni Antikorrupsion/ Opozita bojkot, Xhafaj mbledh Sekretariatin Teknik,
Pamje nga mbledhja e parë e Komisionit

TIRANË- Kryetari i Komisionit të Posaçëm “Antikorrupsion”, Fatmir Xhafaj ka mbledhur Sekretariatin Teknik të Komisonit, pavarësisht bojkotit të bërë nga opozita, e cila nuk mori pjesë as në mbledhjen e parë, të zhvilluar më 14 Qershor, ku e pranishme ishte dhe Kryeparlamentarja, Lindita Nikolla. Raportohet se në mbledhje janë ndarë disa detyra që lidhen me punën organizative të komisionit dhe zbatimin e vendimeve që u morën në mbledhjen e parë të tij.

Sekretariati është duke përgatitur shkresat që do të dërgohen pranë institucioneve të pavarura që krijohen dhe japin llogari në Kuvendin e Shqipërisë, konkretisht: Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni i Prokurimit Publik, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës dhe Instituti i Statistikave, për të përcaktuar ekspertët dhe përfaqësuesit që do të punojnë me 3 nëngrupet e Komisionit të Posaçëm: Mirëqeverisja, Sundimi i Ligjit dhe Antikorrupsioni.

Ndërkohë, kërkesa zyrtare nga Komisioni do të ketë dhe për organizatat e shoqërisë civile, institucionet akademike publike e private, si dhe një ftesë për organizatat ndërkombëtare për bashkëpunim, asistencë dhe ekspertizë.

Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Komisioni i Posaçëm do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave te mirëqeverisjes ne te gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e metejshem te zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “Screening” të Komisionit Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”. Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj../ZËRI

Poll

MOS HUMB