
TIRANË- Kryetari socialist i Komisionit antikorrupsion, Fatmir Xhafaj ka thirrur këtë të premte mbledhjen e parë me anëtarët për të konstituuar komisionin. Njoftimi për këtë mbledhje iu është dërguar dhe deputetëve të opozitës, por asnjë prej tyre nuk është i pranishëm në mbledhjen e parë, pa pasur më parë një vendim grupi mbi raportin që do të krijohet me këtë komision.
Ngritja e këtij Komisioni është konsideruar e panevojshme dhe e ngutshme nga ana e opozitës, ndërkohë që dhe ambasadat e BE dhe SHBA në vendin tonë, kanë kërkuar përfshirjen e të gjitha palëve në proces.
Drejtuesi i Komisionit, Fatmir Xhafaj u shpreh i keqardhur me mungesën e opozitës, teksa e krahasoi sjelljen e opozitës me atë të vitit 2014, kur bojkotonte mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
“Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm, pjesëmarrja me rëndësi për qëllimet që do adresojë kjo reformë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për angazhim në këtë komision që buron nga kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit. Ky komision do adresojë çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, përtej interesit të partive tona, i shërben forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë.
Kjo situatë me sjell një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në 2014 komisioni për reformën në drejtësi, opozita edhe atëherë në 2014, megjithëse e kishte votuar ngritjen nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe disa të tjera. Reflektuan me vonesë dhe përfshinë më pas. Koha tregoi që kolegët tanë të opozitë gabuan dhe kjo u kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht. Shpresoj që kjo shistori të mos përsëritet dhe shume shpejt ta kemi opozitën mes nesh”, u shpreh Xhafaj në nisje të mbledhjes së parë të Komisionit, ku ishte e pranishme dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
Përbërja e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian është si më poshtë:
Fatmir Xhafaj kryetar (PS)
Klotida Bushka anëtare (PS)
Eduard Shalsi anëtar (PS)
Etilda Gjonaj anëtare (PS)
Evis Kushi anëtare (PS)
Toni Gogu anëtar (PS)
Jorida Tabaku anëtare (PD)
Dhurata Tyli anëtare (PD)
Sorina Kote anëtare (PD)
Flutura Açka anëtare (PD)
anëtar (PD)
Milva Ekonomi anëtare zëvendësues (PS)
Erion Braçe anëtar zëvendësues (PS)
anëtar zëvendësues (PD)
anëtar zëvendësues (PD)
Shumica kërkon të bëjë një reformë të thellë ligjore në të tre pushtetet dhe të gjitha institucionet e tyre të varësisë për të luftuar korrupsionin që sipas kryeministrit do ta bëjë të mundesh objektivin për t’u anëtarësuar në BE deri në 2030.
Komisioni do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj dhe në përbërjen e tij ka 11 anëtarë.
/ZËRI