
TIRANË- Kur ka kaluar më shumë se një vit nga zgjedhjet lokale, Bashkia e Himarës vijon që të mbetet pa kryetar, me Fredi Belerin dhe Jorgo Goron që ndodhen në burg. Sekretari i "Omonias" Marin Suli, nuk ka përjashtuar mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme për Himarën, të kandidojë për krytetar bashkie, djalin Fredi Belerit.
“Në kulmin e sezonit turistik Himara është e mbytur nga plehrat. Himara është me rrugë të shkatërruara. Himara është e pa menaxhuar. Himara drejtohet sot nga një njeri që para një viti e gjysmë e mundëm me votë brenda rregullave demokratike dhe drejtohet sot nga ai njeri që e kemi kallëzuar në bazë të raportit të KLSH, ka abuzuar me 10 milion Euro tendera, nga lekët tona.
Mos i harroni këto gjëra. Dhe meqë doni një ekskluzivitet, një nga kandidatët më kryesor mund të jetë prapë emri i Fredi Belerit po me një artificë ligjore. Të kandidojë i biri i tij. Kështu që në fletën e votimit prap zoti Rama, do lexojë Petro Dhionisios Alfred Beleris", tha Suli.
Gjykata e Posaçme e shkallës së parë e ka dënuar Belerin me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës mbahet në burg që prej muajit Maj të vitit të kaluar, ndërsa nga burgu arriti që të zgjidhej dhe eurodeputet. /ZËRI