
TIRANË-Sot në Kolegjin Zgjedhor ishte planifikuar të shqyrtohej kërkesa e kandidatit demokrat Shkëlqim Shehu në zgjedhjet e 11 majit për rrëzimin e vendimit të KAS. Por seanca ështyrë, pasi Shehu nuk u paraqit. Seanca do të mbahet më 18 qershor ora 14:00.
Relatorja: Nuk është paraqitur ankuesi Shkëlqim Shehu. Ka depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore dhe ka paraqitur raport mjekësor. Është njoftuar edhe KQZ për seancë dhe janë paraqitur përfaqësuesit.
Perfaqesuesja e KQZ: Ne e lëmë në çmim të gjykatës kërkesën e palës ankimuese.
Ndërkohë, u rrëzua ankimi i bërë nga Ilir Alimehmeti, kandidati më i dytë më i votuar në listën e PD në Tiranë, por që nuk arriti që të fitonte mandatin pasi u mund nga Jorida Tabaku. Kërkesa i është rrëzuar edhe Aulon Kalasë, i cili u mbështet nga Partia e Ballit Kombëtar për kërkesën e tij.
Më 2 qershor, pasi KAS u rrëzoi kërkesat lidhur me pretendimet për votën preferenciale, tre kandidatët Shkëlqim Shehu, Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja iu drejtuan Kolegjit Zgjedhor. Komisioni i Ankesave u rrëzoi kërkesat me pretendimin se kandidatët mund t'i bëjnë ankimet vetëm përmes siglës së partisë.
Kujtojmë që KAS ka vendosur hapjen e të gjitha kutive të qarkut Tiranë dhe Fier, vendim që u mor nga dy anëtarët e PD në këtë organ, dhe pritet të numërohen votat si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatët. KAS ka vendosur gjithashtu, po me votë të anëtarëve të PD, që të hapen 257 kuti në qarkun e Durrësit.
Në 8 qarqe të tjera (Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër) Komisioni i Ankesave ka mbyllur hetimin dhe me shumicë votash ka lënë në fuqi 11 majin dhe ka rrëzuar kërkesat e PD-së për të përsëritur zgjedhjet.