
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një intervistë të gjatë për “Ora News” ku ka pranuar se e kanë dënuar me 10 ditë në burg të mos marrë pjesë në aktivitete sportive. Shkak është bërë një intervistë e bërë me telefon jashtë orarit të përcaktuar. Meta thotë se dënimi nuk do e ndalojë dhe do të vazhdojë të japë intervista nga qelia.
“Po, ky vendim “historik” është i vërtetë dhe m’u komunikua sot nga Komisioni i Disiplinës në IEPV “Jordan Misja”, gjoja pse kisha kryer një bisedë telefonike në ora 20:20, kur telefonatat lejohen deri në ora 20:00. Këtë orar strikt unë nuk e dija sepse sigurisht do ta respektoja. Në fakt ndalimi i aktivitetit tim sportiv (ping-pong) për 10 ditë ndodhi për shkak të intervistës që unë dhashë për kolegen tuaj Beti Njuma. Unë kam telefonuar z. Tedi Blushi, me të cilin jam në kontakt të vazhdueshëm, i cili ishte duke zhvilluar live një intervistë me të dhe natyrisht që nuk mund t’i shmangesha pyetjeve të Znj.Njuma, në respekt jo vetëm të integritetit të lartë profesional që ka por edhe të pasionit të saj për ngjitjen në male. Pavarësisht “dënimit historik” të jeni të bindur se intervistat e mia nuk do të ndalen, përkundrazi tani do të jenë edhe më të shpeshta” – tha Meta.
Meta foli edhe rreth vështirësive që po kalon gjatë qëndrimit prej 8 muajsh në burg, ku rrëfen se uji vjen vetëm 1-2 orë në ditë.
"Unë personalisht ndihem në top-formë si kurrë më parë. Ushtrohem disa herë në ditë dhe lexoj e shkruaj shumë, kam mësuar shumë gjëra të reja, pasi kurrë s’kam jetuar në konvikt. Kam takuar (edhe pse shumë pak), njerëz të mrekullueshëm dhe fisnikë që rrinë këtu vetëm për statistika të rrejshme. Kjo nuk është sfidë për mua pasi unë kam problem kondicionerin dhe jo të nxehtin. Vërtet tani nuk ka ujë, këtu në mes të Tiranës edhe 12 vjet pas premtimit të Kryerilindasit, por kur vjen 1 ose 2 orë, mbushim bidonat për t’u larë”-rrëfen Meta.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI