
TIRANË-Partisë Socialiste ka marrë një vendim në lidhje me figurat e reja parlamentare të cilat u zgjodhën nga zgjedhjet e 11 Majit. Duke qenë se grupi i ri parlamentar është pa një histori politike të mëparshme, Akademia Politike e PS këtë vit do të shërbejë si një platformë për të trajnuar deputetët e rinj socialistë. Një 'shkollë verore' do të nisë punën më 20 qershor, për të ofruar trajnimin, para se deputetët e rinj të fillojnë punën në Kuvend në shtator.
Në total, 53 deputetë që ulen për herë të parë në Kuvend, mes të cilëve edhe 9 ministra aktualë, do të ndjekin trajnime intensive për t’u familjarizuar me procedurat legjislative, sjelljen parlamentare dhe të drejtat e detyrat që u garanton Kushtetuta.
Lektori i parë i deputetëve të rinj do të jetë vetë kryeministri Edi Rama. Deputetë me eksperiencë si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi, si dhe ish-drejtues të lartë të Kuvendit dhe të grupit parlamentar socialist, do të ndajnë me ta përvojën e tyre të drejtpërdrejtë.
Sa i përket fokusit në procesin e integrimit evropian dhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, leksionet do të mbahen nga ministrja Adea Pirdeni dhe ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Ngelet për t'u parë se si do të procedohet me 'shkollën verore'.