
TIRANË – Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, të mbajtur online, për Këshillin Atlantik, foli për Shqipërinë dhe rajonin. Rama theksoi se Shqipëria ka bërë përparime në shumë drejtime, ndërsa ka luajtur rol pozitiv në paqen e rajonit.
Ai shtoi se Ballkani fatkeqësisht ka ende “elefantin në dhomë”, duke nënkuptuar se herë pas here shfaqen skena dhune të izoluara. Sipas Ramës, një rast i tillë është Banjska, që nuk i shërben aspak paqes për të gjithë ballkanasit. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se konflikti në Lindjen e Mesme mund të përhapet edhe në Ballkan, prandaj duhet bërë gjithçka në drejtim të paqes dhe jo shtimit të konfliktit. Sipas Ramës, Hamasi dhe organizatat e tjera terroriste janë agjentë të kaosit.
“Shqipëria është sot më mirë se kurdo, ne kemi bërë hapa përpara. Ne jemi një rajon që ka shumë kompleksitete, ne jemi një rajon shumë fetar. Shqipëria është një vend fetar, ku myslimanët e të krishterët jetojnë në harmoni e ky ka qenë aseti ynë fantastik, si bazë për shoqëri tolerante. Rajoni ynë nuk duhet të infektohet nga asnjë kaos apo konflikt, ne nuk duam luftë apo forma të tjera të dhunës në këtë zonë. Lufta Izrael-Hamas është e rrezikshme. Kjo, sepse Hamasi është agjent kaosi, që mund të përhapet kudo. Mund të përhapet edhe në rajonin tonë, prandaj duhet të bëjmë çdo gjë, që dhuna e konflikti të mos ketë vend në Ballkan. Ne duhet të zgjidhim ngërçet e problemet e vogla që kemi, jo t’i fryjmë zjarrit të konflikteve.
Çështja mes Kosovës dhe Serbisë duhet zgjidhur, me paqen përfundimtare dhe njohjen nga Serbia të Kosovës. Kur them kemi ‘elefantin në dhomë’ nënkuptoj, që herë pas here ka dhunë, si ajo në Banjskë, që rrezikojnë paqen rajonale. Në veriun e Kosovës u ushtrua terror, ndërsa Serbia shkoi deri aty, sa shpalli ditë zie kombëtare për këta terroristë. Duhet të shumëfishojmë përpjekjet për të bërë paqe. Unë jam përpjekur të jap kontribut në drejtim të paqes në rajon", deklaroi Rama.
Më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur serbësh vranë efektivin Afrim Bunjaku. Pasi grupi nuk pranoi të dorëzohet, policia ekzekutoi 3 terroristë të dyshuar. /Zëri.ai/