
TIRANË – Komisioni i Ligjeve ka pranuar disa nga kërkesat e institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, për shtesa në buxhetin e parashikuar për vitin 2024. Ligjet kaluan fonde, kryesisht për përmirësim të infrastrkturës së godinave.
“Nevojiten për Prokurorinë e Përgjithshme, shtesë në zërin e mallrave dhe shërbimeve 50 milionë lekë, për Këshillin e Lartë Gjyqësor 134.5 mln lekë, për studime dhe projektime, rikonstruksione ndërtimore, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë 12 milionë për mbulimin e kostove shtesë të rikonstruktimin e godinës, 6 milionë për dy automjete shtesë”, deklaroi relatori Klevis Xhoxhi.
22 nenet e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” u votuan në mbledhjen e zhvilluar online. U miratua projekt-raporti, që i sugjeron Komisionit të Ekonomisë, disa shtesa në buxhetin e 2024-s për 11 institucione. Ligjet kanë kërkuar nga Komisioni i Ekonomisë që të rrisë financimet për Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit ka kërkuar 300 milionë lekë, të cilat thotë se duhen për uniforma të stafit të punonjësve në burgje. Presidenca ka kërkuar para, me qëllim që të ketë një automjet më tepër.
Në lidhje me këto kërkesa, zv ministrja e Financave Olta Manjani ka premtuar se do të alokohen fonde, për çështje që janë më të rëndësishme, duke përjashtuar dhënie parash nga buxheti, për shpenzimet e luksit. “Dakord me kërkesat e komisionit të ligjeve, do prioritetizohen kur të krijohen hapësira financiare, e gjithë paketa do të miratohet në komisionin e ekonomisë”, tha Olta Manjani, zv ministre e Financave.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka vlerësoi se në buxhet kanë përparësi pagat, ndërsa pjesa tjetër duhet të menaxhohet me shumë kujdes. Konferenca e Kryetarëve, gjatë ditës së djeshme, vendosi që më datë 7 dhjetor të mblidhet seanca plenare, ku do të diskutohet boxheti 2024./Zëri.ai/