
TIRANË- Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi këtë të premte, se nga 20 burgje që ka aktualisht Shqipëria, 10 prej tyre nuk plotësojnë kushtet, për të mbajtur të burgosur ose të paraburgosur. Manja tha se burgu i Burrelit dhe ai i Tepelenës, të njohura për historitë tragjike në komunizëm, do të kthehen në muze.
"Vitin e fundit realizuam me sukses një proces tërësor të infrastrukturës sonë fizike, duke mbyllur 4 burgje. Në kuadër të këtyre planeve për riorganizim, do të mbyllim 10 burgje. Disa prej tyre, si burgu i Burrelit dhe i Tepelenës, do të vlerësohen për t’u shndërruar në vende muze", tha Manja.
Ministri Manja tha më tej se deri në vitin 2030, në Shqipëri do të ndërtohen 5 burgje të reja, që do të kenë kapacitet për një numër prej 2500 të burgosurish secili. "Në masterplanin tonë 2023-2030 kemi vendosur objektiva të qartë për ndërtimin e institucioneve të reja, me kapacitet shumë më të madh se ato ekzistuese, duke reduktuar kështu ndjeshëm kostot dhe duke përmirësuar kushtet e vuajtjes së dënimit për personat e dënuar, ku vëmendje e posaçme do t’i dedikohet institucionit të grave", tha Manja.

I pranishëm në konferencë ishte edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King Smith. Ai bëri me dije se në 2 vitet e ardhshme, do të vijnë në Shqipëri, për të kryer dënimin e tyre, 200 shqiptarë, të cilët aktulisht janë në qelitë britanike.
“200 të burgosur do të kthehen në 2 vitet e ardhshme për të përfunduar dënimin pranë familjes në Shqipëri. Policia dhe forcat kufitare po kryejnë operacione të përbashkëta dhe së bashku po ndalim bandat e organizuara kriminale dhe trafikantët, që lehtësojnë këtë udhëtim të rrezikshëm”, deklaroi ambasadori Smith.

Gjatë ditës së sotme, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i janë shtuar në total 95 makina, ku disa do të përdoren për transport të punonjësve, transport të të dënuarve etj. 39 janë blerë nga financat e buxhetit, ndërsa të tjerët nga donatorë. 37 minibusë u dhuruan nga Britania e Madhe dhe pritet që të përdoren për transportin e të burgosurve shqiptarë në Angli, që do të kthehen në vendin tonë./Zëri.ai/