
GREQI- Pavarësisht presionit të Gjermanisë dhe Spanjës që Greqia të mos bllokojë procesin e Integrimit të Shqipërisë, Athina zyrtare nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kushti i saj për lejimin e Fredi Belerit për të bërë betimin si kryebashkiak i Himarës. Greqia ka kërcënuar sërish me veto procesin e Integrimit të Shqipërisë, dhe për këtë ka vënë në dijeni dhe Tiranën zyrtare.
Në kuadër të mbledhjes së Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së, Greqia dorëzoi një deklaratë me shkrim në të cilën thekson se çështja e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës do të jetë kusht për të ardhmen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Krahas kësaj, në deklaratë thuhet se tani e tutje për Athinën, çështja e pranimit të Shqipërisë në BE do të konsiderohet e lidhur me qëndrimin që do të tregojë Tirana për çështjen Beleri, të cilin pala greke e konsideron si provë të shkeljes së kushteve që duhet të plotësojë një shtet kandidat për anëtarësim në BE.
Pak javë më parë Athina kishte bllokuar letrën për të dhënë një “sinjal” lidhur me çështjet që e shqetësojnë në lidhje me Shqipërinë. Në këtë kohë, Athina mori presion shumë të fortë si nga Gjermania, ashtu edhe nga presidenca spanjolle për të ndryshuar qëndrimin e saj.
Megjithatë, sipas burimeve të mirëinformuara të Kathimerinit, Greqia nuk ka ndërmend të tërhiqet, pasi thotë se ndalimi shtatë-mujor i Belerit për të bërë betimin si kryetar i Bashkisë së Himarës është një shkelje e drejtpërdrejtë e shtetit të së drejtës.
Kërkesa për betimin e Belerit do të shqyrtohet në datën 4 Dhjetor në Gjykatën e Lartë.
Pak ditë më parë, kancelari gjerman Olaf Sholz e tha në krah të kryeministrit grek, Mitcotakis se Berlini nuk e sheh me sy të mirë bllokimin e integrimit për shkak të çështjeve dypalëshe. E megjithatë ministri i shtetit, Stavros Papa-stavrou u shpreh se qëndrimi i Athinës ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve evropiane dhe nuk është një çështje dypalëshe. Qeveria shqiptare është përgjigjur se kjo është një çështje e drejtësisë dhe nuk mund të ndërhyjë.
/ZËRI