
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka kritikuar opozitën lidhur me ngritjen e Komisioneve Hetimore. Në fjalën e tij gjatë emisionit "Breaking", deputeti Braçe sqaroi se ishte kundër ngritjes së 2 komisioneve, por për shkak të politikave të grupit parlamentar socialist, votoi abstenim. Sipas tij, mospërfshirja në komision e dy kontratave koncesionare për Dializën dhe analizat, tregon për konflikt të qartë të interesit dhe mbrojtjen e përfituesve të këtyre kontratave. Pra të Klodian Allajbeut, të cilin socialisti nuk e përmendi me emër.
Por theksoi edhe një ngjarje të disa viteve më parë kur 4 veta gjetën vdekjen dhe disa të tjerë u lënduan në pavionin e hemodializës në "Spitalin Amerikan" me administrator Klodian Allajbeun, duke theksuar se për këto koncensione kishin shkaktuar vdekje njerëzish.
“Ka dy elementë të rëndësishëm. Nuk merrem fare me objektin e opozitës. Por e kanë ndryshuar. E para, unë nuk mendoj që në një hetim politik të parlamentit, që duhet të konkurojë një hetim penal siç është SPAK. Parlamenti e ka të ndaluar me ligj që të kryejë hetime penale. Ky hetim nuk mund të shërbejë për të ngritur akuzë penale dhe të konkurojë me asnjë institucion drejtësie. Hetimin penal e bën SPAK. E kisha bindje dhe mu përforcua që nga mbledhja e parë e këtij Komisioni, çfarë ndodhi? Zonja që drejton Komisionin tha që Ilir Beqja nuk ka shpërdoruar detyrën, por ka kryer korrupsion. Kush mendon se ka shpërdoruar detyrën? SPAK! Në fakt isha kundër, por abstenova. Pse u hoqën dy Komisione? Për shkak të konfliktit të interesit? Shikoni, të paktën një prej atyre komisioneve, nuk e di procedurën le të hetojë SPAK, njëri prej tyre ka pasur probleme të rënda në zbatim. Kanë vdekur njerëz. Si ka mundësi që nuk e hetojnë zbatimin e asaj kontrate? Ky është korruptim i anti-korrupsionit në mbrojte të një individi që ka përfituar kontrata koncensionare. Ka edhe një komision tjetër parlamentar, atë të TIMS. Kush janë këta që do kenë në dorë të dhënat e mia?,"- tha Braçe./ZËRI