
TIRANË- Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të dënuar me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri, sipas avokatit të tij ishte, i pritshëm. Geni Gjyzari tha se gjatë seancës Belerit i është ndërprerë disa herë fjala, ndërsa kryetari ishte në tension. Sipas tij vendimi është dhënë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe do të ankimohet.
Avokati: Ju e dëgjuat deklaratën e Belerit. Diskutimin përfundimtar të tij dhe e keni të gjithë. Kryetari i seancës bëri gafën e tij, e ndërpreu diskutimin e zotit Beleri, teksa ka transmetuar tensionin që kishte jashtë këtij procesi. Tensioni i tij nuk na la të dyshojmë se Beleri do të dënohej. E padëgjuar ndonjëherë, ai ia ndërpreu fjalën zotit Beleri, të pandehurit pra. Është e padëgjuar. Është dhe një vendim politik. Siç e porositi kryeministri, ashtu mori vendim edhe gjykata. Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë, aktet proceduriale janë të gjitha të falsifikuara. Është ndjekur 4 ditë nga policia i dyshuari pa vendim Prokurorie, që është skandal. Prokuroria këtë qëllim kishte, ra nën presionin e policisë",- tha ai.
Fredi Beleri është shpallur fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-it. Vuajtja e dënimit nis prej 12 majit 2023 dhe ditën kur u arrestua. Pas vendimit Beleri anatemoi si prokurorinë dhe policinë për sajim të provave kundër tij. Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1.6 vite burg që i konvertohet në 3 vite shërbim prove./ZËRI