
TIRANË- Dhunën e djeshme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Ilir Meta e sheh ndryshe. Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se ajo që ndodhi dje ishte një atentat i planifikuar ndaj këshilltarit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Sipas Metës, "autorët" dhe planifikuesit e atentatit ishin kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
"E dimë kush janë porositësit ndaj atentatit të djeshëm ndaj Tedi Blushit. Janë Edi Rama, Erion Veliaj, miu i Bashkisë që vete me xhup në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, i treti është dumdumani. Tani nuk do merremi me morrin. Ai ka lindur për t'u përdorur dhe paguhet nga lekët e inceneratorëve siç paguhen shumë mora të tjerë dhe shumë analistë që vetëm këtë emër nuk e meritojnë sepse janë bajga,"-tha Ilir Meta.
Pas Metës, fjalën e mori "kryefjala" e ngjarjes, Tedi Blushi, i cili tha në fjalën e tij se në sallë kishte persona të armatosur dhe se kryebashkiaku Erion Veliaj kishte veshur jelek anti-plumb. Ai shtoi se pikërisht për këtë arsye, ai kishte kërkuar që të merrte fjalën në mënyrë që të denonconte atë që po shihte, por u provokua dhe përfundoi në Polici. Sipas tij, Veliaj kërkon të fshehë ngjarjen, pasi edhe sot nuk i ka dorëzuar pamjet filmike.
"Në sallën e Këshillit Bashkiak ka patur një skenar mafioz për gjakderdhje. Incidenti i provokuar ka qenë i inskenuar. Sipas burimeve shumë të sigurta, jam informuar se Kryetari i Bashkisë ka qenë i veshur me antiplumb dhe kjo shpjegon edhe fakti pse ne temperature 40 grade, ne mes te korrikut, ai ka qene i veshur me xhup. Brenda në sallë kanë qenë persona civile që dyshohet se kanë qenë të armatosur. Këtu nisi edhe incidenti i djeshëm pasi kërkova nga Kryetarja e Këshillit të sqaronte kush ishin këta persona civile që ishin lejuar në mbledhje ndërkohë që aty nuk lejohet media dhe nuk lejohen të marrin pjesë as qytetarë për të ngritur shqetesimet e tyre. Erion Veliaj ishte dje me anti-plumb dhe kishte njerëz të armatosur në sallë. Prandaj doja fjalën. E gjithë skena e shëmtuar që ndodhi dje ishte e planifikuar. Aty është menduar që të bëhej një atentat, skenari ndoshta dështoi. Edhe po të kthehesha sërish do të bëja të njëjtin akt. U provokova nga një horr që erdhi të më dhunonte se i hodha letrat në fytyrë Erion Veliajt. U mbajta 5 orë në komisariat sepse nuk sillte pamjet. Pamjet nuk janë dërguar as sot. Ka qenë gjithçka një skenë e inskenuar për t'i mbyllur gojën opozitës,"-tha në fjalën e tij Blushi.
Përplasja e djeshme në ambientet e Këshillit Bashkiak të Tiranës nisi fillimisht pasi Blushi hodhi letra në drejtim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t'u pasuar nga përplasja fizike që pati me Valterin. Blushi pas kallëzimit në polici nga deputeti socialist, u mor në pyetje në komisariatin nr.1 për disa orë./ZËRI