
TIRANË- Ambasadori i komanduar i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka përfunduar sot detyrën e tij në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, Soreca është shprehur se në këta 3 muaj ka përmbushur misionin për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
"Ishte një nder dhe kënaqësi të drejtoja sërish ekipin e madh të Bashkimi Europian në Shqipëri. Në tre muajt e fundit, ne kemi përmbushur shkëlqyeshëm misionin tonë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Faleminderit shumë për përkushtimin dhe qëndrueshmërinë tuaj! Vazhdoni punën e shkëlqyer derisa Shqipëria t'i bashkohet Bashkimit Europian!,"-shkruan Luigi Soreca në Twitter.
Po ashtu, para largimit nga Shqipëria, Soreca ka dhënë edhe një intervistë për "Zërin e Amerikës" tha se pasardhësi i tij në detyrë, ambasadori i ri i Bashkimit Europian, ka shumë gjasa të mbërrijë në Shqipëri në dhjetor.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje, zoti Ambasador, kjo është intervista juaj e fundit. Si e vlerësoni mandatin tuaj dhe kthimin tuaj pas muajsh në Shqipëri, që ka qenë shumë intensiv.
Ambasadori Soreca: Ka qenë shumë intensiv. Po flisja me kolegët dhe pamë që ishin dhjetë javë, por duken si dhjetë muaj duke parë numrin e çështjeve dhe takimeve që janë zhvilluar, katër takime ministeriale në kuadër të Procesit të Berlinit, Samiti i Procesit të Berlinit, finalizimi i Raportit të Shqipërisë, një numër dosjesh të tjera të rëndësishme që më është dashur t’i shoh me shumë vëmendje. Jam i privilegjuar dhe i nderuar që m’u kërkua të kthehem. Një anekdotë tjetër. Isha në Bruksel të hënën. Isha atje për finalizimin e raportit dhe u ktheva në Shqipëri, dhe kur po i tregoja pasaportën policit në Rinas, ai m’u drejtua në shqip dhe tha: “Ambasador, mirëserdhe në shtëpi”. Mendoj se kjo për mua, në nivel personal, përveç nivelit profesional, është se lidhja e rëndësishme që ndiej me shqiptarët dhe vendin po merr vërtetë formë konkrete. Shqipëria është pjesë e jetës sime, do të jetë pjesë e jetës sime dhe gjithmonë i falënderoj shqiptarët për vëmendjen dhe ngrohtësinë që kanë treguar për mua gjatë këtyre dy mandateve. Siç e përmendët kjo është intervista ime e fundit, në fakt orët e fundit në Tiranë. Po i rikthehem punës sime në Bruksel, si i Dërguar i Posaçëm i BE-së për Migracionin. Këtu, është emëruar një ambasador i ri dhe me shumë gjasa do të mbërrijë në Shqipëri në dhjetor.
Luigi Soreca u rikthye në 1 shtator në krye të delegacionit të BE-së në Shqipëri, pas largimit të Christine Hohmann./Zëri.ai