
TIRANË- Ministri i brendshëm Taulant Balla, ka qenë pjesë e një takimi me donatorët që mbështesin Shqipërinë, në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj krimit të organizuar. Balla tha se në ndryshim nga shteti, që funksionon me ligje dhe dokumente, krimi i organizuar përparon shumë më shpejt, pa pasur nevojën e burokracive, dhe për këtë nevojiten përpjekje më të mëdha për ta përjashtuar.
“E vlerësojmë shumë mbështetjen e çmuar që komuniteti i donatorëve na ka ofruar duke na mundësuar arritjen e rezultateve konkrete në fushën e punëve të brendshme.
Kemi një bashkëpunim ndërinstitucional shumëplanësh me BE, me vendet anëtarë te BE, me agjencitë ligjzbatuese të SHBA dhe Britanisë, që na kanë ndihmuar në forcimin e kapaciteteve tona për luftimin e krimit të organizuar, ekstremizmin e dhunshëm, menaxhimin kufijve, rendin publik. Kërcënimet e reja në këto fusha po shfaqen e zhvillohen në modele të reja, ndaj na duhen struktura më të mira organizative për të luftuar rrjetet kriminale përtej kufijve, trajtimi i këtyre kërcënimeve kërkon rritje të bashkëpunimit, përfshirë edhe atë gjyqësore, si edhe investimet në inteligjencë.
Krimi i organizuar s’ka nevojë për dokumente e burokraci, lëviz shumë më shpejt dhe nëse duhet të jemi efektivë për ta goditur atë duhet të rrisim shpejtësinë e kundërveprimit tonë për ta luftuar e shfarosur. Sot më shumë se kurrë përballemi me sfida konkrete që kërkon qasje të integruar dhe një angazhim të përbashkët. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, siguria kombëtare, publike janë prioritetet tona kryesore”, u shpreh Balla.
Ndërkohë i pyetur nga gazetarët në lidhje me ekstradimet e personave të kërkuar nga drejtësia që aktualisht ndodhet në Dubai, siç është dhe rasti i Durim Bamit, Balla tha se shteti atje funksionon në bazë të ligjeve të tyre. Sipas ministrit, drejtësia në Shqipëri, i ka të gjitha mundësitë që të vendosë përpara ligjit këta persona.
“Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt me organet kompetente me të cilat kemi një komunikim të shkëlqyer dhe që dua ta them shumë qartë që jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga prokuroria e Posaçme nga pala e Emirateve të Bashkuara. Mos harroni që edhe ata kanë procedurat e tyre gjyqësore. Unë jam i bindur që kjo qasje se Dubai është një oaz që mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë jo vetëm shqiptare, por të shumë vendeve, edhe autoritet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë dhe në rastet si ai që ju përmendni i kemi të gjithë instrumentat për ta tejkaluar dhe që të vendoset para drejtësisë shqiptare”, tha Balla. /ZËRI