
TIRANË- Është mbyllur pa një vendimmarrje të qartë nga socialistët mbledhja e Këshillit të Mandateve, në të cilën u diskutua mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Socialistët thanë se do ti drejtohen seancës së të enjtes, për të pyetur deputetët që të shprehen mbi rastin Xhaçka, por nuk pranuan që të propozohet raporti i opozitës, që konstaton shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit nga deputetja socialiste.
‘I duhen dhe 48 orë kohë që Edi Rama të vendosë nëse do e lëshojnë apo jo Xhaçkën”, u shpreh Gazment Bardhi, duke ironizuar qëndrimin e kundërshtarëve politikë.
Deputetët e opozitës Gazment Bardhi e Ervin Salianji akuzuan maxhorancën se është bërë mburojë e Olta Xhaçkës dhe kërkoi që çështja të mos zvarritet por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme.
Kushtetuesja vendosi pranimin e kërkesës së 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë./ZËRI