
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i është rikthyer detyrës në Kuvend, pak javë pas shpërthimit në një magazinë në pronësi të tij, në qytetin e Lushnjes, ku humbën jetën babë e bir. Vetë Çela mbeti i plagosur gjatë shpërthimit, për të cilin as sot dhe kësaj dite nuk ka asnjë person të vënë përpara drejtësisë.
Çela ka qenë i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, e cila u drejtua nga Bledi Çuçi, që kërkoi një angazhim më të madh të deputetëve socialist në Kuvend. Hetimet për shpërthimin në Lushnje, i kanë kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme.
Si pasojë e shpërthimit të ndodhur në 1 mars, humbën jetën babë e bir Roland dhe Elidon Hoxha të cilët po punonin me vinç në magazinën në pronësi të deputetit, ndërsa mbetën të plagosur 7 të tjerë.
Deputeti po hetohet nga prokuroria për vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Në pranga për tragjedinë përfundoi Leonard Gjini, pronar i kompanisë që po kryente punimet për ngritjen e magazinës në pronësi të Çelës. Gjini më pas u lirua me vendim të Gjykatës së Posaçme. /ZËRI