
HIMARË- Kandidati i Opozitës për Bashkinë Himarë, Petro Gjikuria thotë se nuk do ta ndalë me kaq betejën për Himarën. Në një reagim, 12 orë pas daljes së rezultatit, Gjikuria thotë se Vangjel Tavo do t'i shërbejë interesave të kryeministrit Edi Rama. Ai shkruan në postim se Partia Socialiste e fitoi Bashkinë Himarë pasi transformoi listën e zgjedhësve dhe nuk lejoi të votonin qytetarët me kartat e identitetit të skaduara.
Reagimi i plotë:
Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë.
Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon.
Vangjel Tavo fitoi me një diferencë me 1477 votash kundrejt kandidatit rival të koalicionit "Bashkë Fitojmë' në opozitë, Petro Gjikuria. Gjithsej, kandidati socialist numëroi në emrin e tij 5022 vota, pra 58.62%, ndërkohë Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota, 41.38%./ZËRI