
TIRANË- Reforma Zgjedhore e cila duhet të përmbyllej brenda këtij sesioni parlamentar, është ende në fazën e diskutimit në grupin e dialogut, ndërsa palët ende janë të ndarë për çështjet teknike. Vota e emigrantëve, e cila në parim kërkohet që të realizohet nga të dyja kampet politike, mbetet ende një premtim në letër.
Javën e kaluar palët në grupin e dialogut ranë parimisht dakord për votën e diasporës. Por përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi tha se reforma është bllokuar nga PS, sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Detyrimi është për të arritur në rezultat. Keq ardhje që PS bllokoi sërish reformën zgjedhore sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Këtu nuk trajtohen as marrëveshja e majit 2020. Kjo çështje mbetet dhe do të vazhdojë të jetë në agjendën tonë të mëtejshme”, tha Bylykbashi.
Socialistët kanë propozuar që nga diaspora të votojnë vetëm personat që kanë të deklaruar një adresë, ndërkohë që vullneti i tyre duhet të shprehet përmes postës. Nga ana tjetër opozita kërkon që të votojnë të gjithë emigrantët që shprehin vullnetin e tyre, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Një pikë tjetër që ndan palët, është ajo për herësin, e lënë si detyrë nga Gjykata Kushtetuese. PS prezantoi dy javë më parë një nismë ligjore për herësin, që ulet nga 10 mijë në 7 mijë. Por kjo nuk u pranua nga PD.
Në mbledhjen e javës së kaluar në grupin e dialogut, u hodh një propozim që thotë se jo më pak se 2/3 e listave të kandidatëve për deputetë të jetë e hapur. Këto terma janë duke u diskutuar nga palët, dhe nëse mund të arrihet një marrëveshje, Reforma do të kalojë në Kuvend në seancën e ditës së premte, që është e fundit për këtë sesion parlamentar.
Po ashtu listat e hapura janë ende një pikë e Reformës Zgjedhore që ndan palët, ndërsa është duke u diskutuar një formulë mikse. Për kalimin e Reformës Zgjedhore në Kuvend, duhet një konsensus me bazë të gjerë, ndërkohë që edhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për një proces gjithëpërfshirës. /ZËRI