
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të premte në zyrën e tij ministrin e Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis. Takimi vjen në një kohë qe tensionet mes dy vendeve janë të larta, kjo për shkak të çështjes së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës të arrestuar para zgjedhjeve vendore të 14 majit për “Shitblerje votash”.
Në fotot e postuara nga Rama duket se “akujt diplomatikë” janë shkrirë, mbase për pak kohë. Athina zyrtare kërkon me ngulm lirimin e Belerit dhe betimin e tij si kryebashkiak. Nga ana tjetër qeveria shprehet se ky është një vendim që i takon drejtësisë.


Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare. Ndërsa qeveria shqiptare pretendon se çështja nuk është politike, por është e gjitha e drejtësisë./Zëri.ai