
GRAMSH – Policia ka arrestuar pak ditë më parë ish-deputetin e PDIU-së dhe ish-kryebashkiakun e Gramshit, Dritan Bicin. Bici është arrestuar për kundërshtim të punonjësve të policisë.
Dritan Bici ka kundërshtuar policët, teksa ata kanë qenë duke i vendosur një gjobë automjetit të djalit të tij. Madje, Bici ka tentuar edhe të godasë efektivët.
Si ndodhi ngjarja?
Më datë 29 shtator, djali i ish-deputetit kishte parkuar makinën e tij tip “Audi” në një vend parkimi të dedikuar për policinë në Gramsh.
Në momentin që efektivët janë afruar për të gjobitur mjetin e djalit të Dritan Bicit, ky i fundit së bashku me të birin dhe vëllanë, janë afruar pranë punonjësve të rendit dhe kanë kundërshtuar ata.
Policia ka njoftuar se Bici ka dashur që të qëllojë dhe shefin e rendit. Pas kësaj, ai është vënë në pranga për kanosje të forcave të rendit.
Gjykata e lë të lirë
Pas arrestimit, tre ditë më vonë, ish-deputeti është liruar nga Gjykata e Elbasanit. Kjo e fundit vendosi masën “detyrim paraqitje” për 58-vjeçarin.
Dritan Bici ka qenë më parë kryebashkiak i Gramshit dhe ka pasur në të kaluarën incidente të ngjashme./Zëri.ai/